25-04-2024

Konkursi për drejtorë: Avdyli thotë se vështirë të gjenden njerëz apolitik në Prizren

Kryetari i degës së LDK-së, Haxhi Avdyli, ka mohuar të ketë ndonjë marrëveshje për ndarjen eventuale të pozitave menaxheriale në shkolla, sipas preferencave të subjekteve në koalicion, derisa e ka konsideruar si të vështirë, gjetjen e njerëzve apolitik në Prizren, shkruan “Gazeta e Prizrenit.net”.

Ai ka thënë se ambicia për të qenë menaxher shkollash, është e drejtë personale, dhe kolektive dhe do ishte ideale të kemi drejtor që s’do të kishin lidhje me partitë, por, që në Prizrenin e vogël të gjithë njihemi dhe shumicën e rasteve është e vështirë të gjinden drejtor pa orientime politike.

“Është me rëndësi të gjinden drejtor meritor, menaxher të shkolluar, njerëz me kredibilitet profesional e njerëzor, dhe të zgjedhur me një proces transparent të monitoruar dhe zgjedhjet të jenë të bazuara në vlera profesionale dhe pa preferenca nga jashtë për njerëz qe s’plotësojnë kriteret e cekura”, ka thënë ai.

Tashmë janë hapur dy konkurse për drejtorë shkollash. Derisa për të parin është përzgjedhur lista e kandidatëve të ngushtë, të cilët do të intervistohen, konkursi i dytë mbetet i hapur deri me 1 qershor.

LDK pas 10 vjet qëndrimi në opozitë, pas zgjedhjeve të fundit lokale, në nëntor 2017 është rikthyer në qeverisje me Vetëvendosjen, Nismën Socialdemokrate dhe partitë e komunitetit turk e boshnjak.

Ndër premtimet kryesore të tyre gjatë fushatës, ndër të tjera ka qenë edhe siç është thënë depolitizimi i shkollave dhe zgjedhja e njerëzve të dëshmuar profesionalisht e jo partiakisht.

Portali “Gazeta e Prizrenit.net” një ditë më parë, në një shkrim ka vlerësuar se pikërisht “Përzgjedhja e drejtorëve të shkollave është testi i parë i madh i qeverisjes së kryetarit Haskuka.

Sipas Avdylit, shenjat e para janë që do të ketë një proces transparent, ndërsa shpreson të zgjidhen më meritorët./GazetaePrizrenit.net/

Asnjë koment

Comments are closed.