Pas shfaqjes së rastit të infektimit me COVID-19 në Korishë të Prizrenit, Ministria e Shëndetësisë sot ka nxjerrë vendim që ky fshat të shpallet zonë karantinë, nëpërmjet së cilit ndalohen hyrje-daljet dhe ndalohet lëvizja në fshat, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.
Këtë e ka njoftuar kryetari i komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka përmes një postimi:
“Sot kemi pasur rastin e tretë me virusin COVID-19 në komunën e Prizrenit, respektivisht me vendbanim në Korishë.
Ndryshe nga 2 rastet e tjera kur është konstatuar burimi i infektimit dhe janë identifikuar të gjitha kontaktet, në rastin e fundit personeli nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës nuk ka arritur të gjejë përgjigje nga është burimi i infektimit.
Prandaj me rekomandimin e IKShPK-së për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19, Ministria e Shëndetësisë sot ka nxjerrë vendim që fshati Korishë të shpallet zonë karantinë, nëpërmjet së cilit ndalohen hyrje-daljet dhe ndalohet lëvizja në fshat. Vendimi hyn në fuqi nga sot dhe obligohen të gjithë t’i respektojnë masat.
Këto masa janë për parandalim dhe janë për të mirën e të gjithëve, prandaj t’i respektojmë.
Mirëkuptimi dhe bashkëpunimi me institucionet është më se i domosdoshëm për luftimin e koronavirusit. Personeli i IKShPK-së në vazhdimësi është duke kontaktuar dhe mbikëqyrur të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke i obliguar për vetizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome.
I ftoj të gjithë kontaktet e personit që të vetizolohen për dy javë dhe nëse kanë simptome të telefonojnë në numrin 038 200 80 800.
Të ndihmojmë stafin mjekësor profesional që të bëjnë punën e tyre duke respektuar masat.
Mbetshi me shëndet! Mytaher Haskuka