06-05-2024

Koronavirusi mund të mbijetojë në ajër për disa orë e në sipërfaqe për ditë të tëra

Koronavirusi i ri, që bartet shumë lehtë, e që ka shpërthyer në një pandemi globale, mund të mbetet “i gjallë” dhe infektiv në ajër përmes pikave për orë të tëra dhe në sipërfaqe me ditë të tëra, ka thënë një studim i ri që do të duhej të ofronte udhëzime për t’ju ndihmuar njerëzve të shmangin kontraktimin e sëmundjes së frymëmarrjes të quajtur COVID-19.
Shkencëtarët nga Instituti Kombëtar i Alergjive dhe i Sëmundjeve Infektive (NIAID), pjesë e Instituteve Kombëtare Amerikane të Shëndetësisë, tentoi të imitonte virusin e depozituar nga një person i infektuar mbi sipërfaqet e përditshme në një mjedis shtëpiak apo spitalor, përmes kollitjes apo prekjes së objekteve, raporton Reuters.

Ata përdorën një pajisje për të shpërndarë një aerosol (shishe spreji) që dyfishonte pikat mikroskopike të krijuara gjatë kollitjes apo teshtitjes.

Shkencëtarët më pas hetuan se për sa kohë virusi qëndronte infektiv në këto sipërfaqe, sipas studimit që u shfaq online në “New England Journal of Medicine” të martën – ditë kjo kur në SHBA, rastet me infeksion nga COVID-19 kaluan 5,200 dhe arritën në 100 vdekje, transmeton KOHA.

Testet treguan se kur virusi bartet përmes pikave të lëshuara kur dikush kollitet apo teshtin, ai mbetet i gjallë, apo ende në gjendje që të infektojë njerëz, në pika të vogla për së paku tri orë.

Në plastikë dhe në çelik, virusi në gjendje infektive mund të gjendet edhe pas tri ditësh. Në paketë, virusi nuk ishte infektiv pas 24 orësh. Në bakër, iu deshën 4 orë virusit që të bëhet i parrezikshëm.

Për sa i përket gjysmë-jetës, ekipi i hulumtuesve gjeti se duhen rreth 66 minuta që gjysma e grimcave të virusit të humbin funksionin nëse gjenden në një pikë aerosole (pikë mikroskopike).

Kjo do të thotë se pas një ore e gjashtë minutash, tri të katërtat e grimcave të virusit do të jenë joaktive, por 25% ende do të jenë të gjalla.

Sasia e virusit të gjallë në fund të orës së tretë do të ulet në 12.5%, sipas hulumtimit të drejtuar nga Neeltje van Doremalen i “Montana NIAID” në “Rocky Mountain Laboratories”.

Në çelik, duhen 5 orë e 38 minuta që gjysma e grimcave të virusit të bëhen joaktive. Në plastikë, përgjysmimi i jetës është 6 orë e 49 minuta, gjetën hulumtuesit.

Në paketë, përgjysmimi i jetës ishte rreth tri orë e gjysmë, por hulumtuesit thanë se kishte shumë variacione në këto rezultate “prandaj këshillojmë kujdes” gjatë interpretimit të këtij numri.

Periudha më e shkurtër e mbijetesës ishte në bakër, ku përgjysmimi i jetës së virusit u bë joaktiv brenda 46 minutave.

Asnjë koment

Comments are closed.