KQZ: Nuk kemi mjete buxhetore të planifikuara për zgjedhjet
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po pret vendimin që shpall datën e zgjedhjeve, për të filluar përgatitjet për organizimin e tyre, raporton Express
Këtë për Express e ka thënë zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Elezi tha se këto zgjedhje janë sfiduese, për shkak të pandemisë.
“Jemi në kohë pandemie dhe sigurisht se këto zgjedhje janë sfiduese për faktin se KQZ-ja krahas përgatitjeve teknike për organizimin e këtyre zgjedhjeve duhet të merret edhe me zbatimin e masave apo rekomandimeve të institucioneve shëndetësore që lidhen me mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve gjatë procesit zgjedhor”, ka thënë Elezi.
Ai deklaroi se KQZ-ja nuk ka buxhet për këto zgjedhje, pasi nuk kanë qenë të planifikuara.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka mjete buxhetore të planifikuara për këtë proces zgjedhor i cili nuk është i planifikuar. Prandaj, KQZ-ja do të përgatis me kohë kërkesën buxhetore të cilën do ta përcjellë për miratim në Qeverinë e Kosovës në kohën kur shpallen këto zgjedhje”, ka deklaruar Elezi. /GazetaExpress