15-04-2024

“Krimi në arsimin e Prizreni ka emër”

Shkruan: Mimoza BUSHRANI

Shaq, ndali këto forma manipuluese, se jeni duke i terrorizuar mësimdhënësit e komunës së Prizrenit, si ata që kanë punuar dhe ata që kanë qenë në pritje të një vendi të punës.

Ju atyre ua keni futur frikën në palcë dhe nuk po guxojnë të flasin.

I keni bërë t’u shkelet dinjiteti dhe personaliteti i tyre.

Ne të gjithë e dimë se Institucioni i konkursit tuaj për drejtorë shkollash ishte devalvuar në masë ekstreme. Të gjithë e kanë ditur se kush do të punësohej mësimdhënës në një shkollë, qoftë në fshat, apo në qytet.

Vetë subjekti juaj i përgatiste edhe kandidatët, edhe kundër kandidatët. Me një fjalë, për emërim drejtorësh ka qenë një mini-klan i stilit pronto.

Për punësim në arsim janë përdorur emra zyrtarësh të lartë të subjektit tuaj politik. Dhe për këto nuk keni pse të kundërshtoni, sepse të gjitha rastet, me detaje, janë publikuar edhe në medie.

Me një fjalë: secili hap, i secilit mësimdhënës, në secilin korridor, të secilës shkollë nuk është bërë pa miratimin e partisë suaj. Edhe zilja e shkollës ka cingëruar prej dorës së aktivistëve tuaj partiakë.

Ju thjesht nuk e keni drejtuar arsimin në Prizren nëpërmjet një drejtorie të Arsimit, ju arsimin në Prizren e keni drejtuar me krejt potencialin tuaj politik, prej skandalit në skandal.

Një nga këto skandale në ish qeverisjen e juaj ka qenë edhe shitja e një vendi të punës. Me siguri se ende na ka mbetur në kujtesë shifra prej 5000 eurove.

Nëse ka ndodhur që një kandidat të jetë pranuar pa intervenime në Prizren, në mënyrë tragji-komike, atij personi i është thënë se është pranuar gabimisht. Rasti tjetër, pasi është ftuar të shkojë të punojë ditën e hënë në shkollë, i është thënë se tjetërkush është pranuar. Ju s’e keni drejtuar arsimin në komunën e Prizrenit, ju keni luajtur me dinjitetin e qytetarëve, mjerisht

Për gjendjen e tanishme të arsimit në komunën e Prizrenit, fajtori e ka një emër, e ajo është partia e drejtorëve klientelistë.

P.S.
Shkrimet e në këtë rubrikë  janë shprehje e mendimit të lirë, dhe jo domosdoshmërisht përfaqësojnë edhe qëndrimin e portalit “GazetaePrizrenit.net”.

Asnjë koment

Comments are closed.