28-01-2023

Kryeministri Kurti u premton kryetarëve të komunave 654 milionë euro për vitin 2023

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti gjatë takimit me kryetarët e komunave të Kosovës i informoi ata se janë në fazën finale të përgatitjes së buxhetit për vitin fiskal 2023.

Kreu i Qeverisë tha se për herë të parë do të ketë rritje prej 15 për qind të buxhetit për komunat në raport me vitin 2022.

“Qeveria është në fazën e përgatitjes së buxhetit për vitin fiskal 2023. Në këtë buxhet reflektohet rritje e konsiderueshme e buxhetit dedikuar nivelit komunal. Për herë të parë kemi rritje prej 15 për qind të buxhetit për komunat në raport me vitin 2022. Do të jenë 654 milionë euro që do tu ndahen komunave e kjo rritje e buxhetit do të duhet të reflektojë edhe në rritjen e cilësisë së shërbimeve komunale karshi qytetarëve, mirëqenies së tyre dhe zhvillimit socio-ekonomik”, tha kryeministri

Ai më tej theksoi se Qeveria ka ndërmarr hapa konkret duke filluar nga hartimi i planit kombëtar të zhvillimit, pastaj hartimi i planit për zvogëlimin e barrës administrative. Jemi në fazën e fundit të hartimit të Strategjisë për digjitalizim.

“Në muajin prill kemi nisur bashkë nismën Karta për komunën e gjelbër dhe shumë nga komunat e kanë nënshkruar atë. Sot do të flasim edhe për agjendën e gjelbër dhe për ujërat”, tha Kurti.

Kreu i ekzekutivit theksoi se do të flasin edhe për tejkalimin e situatës për energji elektrike në prag të dimrit, ndërkaq njoftoi se Qeveria ka formuar grupin punues për hartimin e Strategjisë kombëtare me qëllim të menaxhimit dhe kontrollit të qenve endacak.

“E dimë që numër  i madh i komunave e kanë këtë problem”, tha ai, duke shtuar se prania e madhe e qenve endacak është kthyer në problem të sigurisë së qytetarëve dhe shëndetit publik. /Gazeta Sinjali.

Asnjë koment

Comments are closed.