22-11-2024

Kryeprokurori Lumezi: Brenda pak ditësh aktakuza e veteranëve do të ridërgohet në gjykatë

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka deklaruar se aktakuza e veteranëve, pas pak ditësh pritet të dërgohet sërish në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Kjo gjykatë, më 10 tetor, aktakuzën në këtë rast e kishte kthyer mbrapa për përmirësim dhe qartësim, me ç’rast kryeprokurori Lumezi ka thënë se këto do të plotësohen dhe aktakuza do të ridërgohet në gjykatë.

Në një bisedë për T7, Lumezi ka thënë se kthimi prapa i aktakuzës në Prokurori nuk është bërë me qëllim të zvarritjes së procesit.

Capture-620x275

Gjykata Themelore e Prishtinës më 10 tetor, përmes një njoftimi për media kishte bërë të ditur, se aktakuza për rastin e “veteranëve të rrejshëm”, i është kthyer Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovë në plotësim dhe qartësim.

Kjo, pasi siç thuhej në njoftim, aktakuza në fjalë nuk është përpiluar konform nenit 241, paragrafi 1 pika 1.4 të Kodit të Procedurës Penale.

“Gjykata Themelore në Prishtinë njofton se lidhur me aktakuzën e ngritur kundër të pandehurve A.Ç, N.L, S.H, SH.D, Q.G, SH.B, A.D, RR.B, F.F, S.E, F.SH dhe XH.J për veprën penale nga neni 422 paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të KPK-së, e pranuar në Gjykatë me datë 14.09.2018, pas vlerësimit të Kryetares së Trupit Gjykues e cila është ngarkuar me lëndën, është vendosur që aktakuza në fjalë ti kthehet në përmirësim dhe qartësim Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për shkak se e njëjta nuk është përpiluar konfrom nenit 241 paragrafi 1 pika 1.4 të KPP-së, po ashtu janë dhënë dhe arsyeje lidhur me anulimin e seancës dëgjimore për shqyrtimin e masës së përkohshme për sigurimin e kërkesës pasurore juridike. Arsyeja e kthimit të aktakuzës sipas Kryetares së Trupit Gjykues bie për shkak se dispozitivi i aktakuzës në pjesën e përshkrimit faktik të veprës penale është konfuz dhe si i tillë nuk lejon mundësimin e procedimit të drejtë pa zvarritje e pengesa të shumta të këtij procesi.”, thuhej në njoftimin e gjykatës.

Aktakuza për veteranët e rrejshëm, për të cilën kishte raportuar ekskluzivisht “Betimi për Drejtësi” ishte dorëzuar me disa ndryshime në Gjykatën Themelore në Prishtinë në shtator të këtij viti.

“Betimi për Drejtësi” kishte raportuar ekskluzivisht për ngritjen e aktakuzës së prokurorit tani të dorëhequr, Elez Blakaj, për rastin e njohur si “Veteranët”.

Sipas aktakuzës së përgatitur nga ish-prokurori Blakaj, personat e përfshirë akuzohen se prej vitit 2011 deri në vitin 2017, duke vepruar si anëtarë të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, duke tejkaluar kompetencat me dashje dhe duke mos i përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që të përfitojnë personat e tjerë në mënyrë të kundërligjshme, në vazhdimësi, në dëm të Buxhetit të Republikës së Kosovës.

Në këtë aktakuzë janë të përfshirë 12 persona të cilët ngarkohen me veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtarë””.

Siç kishte raportuar “Betimi për Drejtësi”, listës së personave të akuzuar i prinë Agim Çeku, i pasuar nga Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

PSRK-ja, po ashtu i kishte propozuar kësaj gjykate që ta lëshoj masën për ndalimin  e pagesës së pensioneve të fituara në mënyrë të kundërligjshme si veteran luftëtarë të UÇK-së, deri në përfundimin e procedurës penale..

Tutje, sipas PSRK-së, nga provat e siguruara deri më tani është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej  68.153.533.14 euro./betimiperdrejtesi/

Asnjë koment

Comments are closed.