Kryeziu: Moscertifikimi i Listës Serbe, më shumë vendim politik sesa i bazuar në kritere, vendime të tilla rrëzohen nga PZAP
Drejtori i Institutit Demokratike të Kosovës, Ismet Kryeziu e quajti të motivuar politikisht dhe jo të bazuar në kritere ligjore moscertifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
“Moscertifikimi i listës Serbe, duket më shumë si vendim i motivuar politikisht sesa i bazuar në kritere ligjore. Ky rast është një ndër disa raste të tilla, kur KQZ-ja ka marrë vendime të ngjashme, por që më vonë janë ndryshuar apo rrëzuar nga nga PZAP-ja, çka dëshmon mungesën e koherencës dhe profesionalizmit në punën e këtij institucioni”, shkroi Kryeziu.
Ai përmendi se Zyra për Regjistrimin e Partive Politike ka rekomanduar certifikimin e këtij subjekti, duke konstatuar se ai i plotëson kriteret ligjore.
“KQZ-ja do duhej të mbështetet në këtë rekomandim dhe udhëzinet e ibstirucioneve tjera dhe të veprojë në përputhje me ligjin. Nuk duhet të ngatërrohen qëndrimet politike apo deklaratat individuale të anëtarëve të një partie me kriteret për certifikim. Nëse kjo praktikë do të zbatohej për të gjitha partitë, atëherë shumë prej tyre nuk do të duhej të certifikoheshin”, tha ai.
“Për më tepër, nëse institucionet përgjegjëse, përfshirë Ministrinë e Punëve të Brendshme, kanë kaluar të gjithë këta kandidatë nëpër filtrat e nevojshëm për t’u certifikuar, atëherë KQZ-ja nuk duhet të ndërhyjë me një vendim mbi kriteret dhe vlerësimet që janë kompetencë e këtyre institucioneve”, shtoi Kryeziu.