24-11-2024

KShC thotë se s’do të lejojë ndërhyrje politike në vendimin për mosakreditim të tri UP-ve

ëshilli Shtetëror i Cilësisë ka sqaruar vendimet e marra të hënën lidhur me mosakreditimin e tri universiteteve publike, atij të Pejës, Mitrovicës dhe Prizrenit. Ka thënë se s’lejon ndërhyrje nga jashtë në këto vendime dhe ka paralajmëruar denoncime në institucionet e drejtësisë.

Në një komunikatë për qytetarët e vendit, KShC ka kujtuar fillimisht se është organi i vetëm për vendimmarrje dhe politikbërje në çështjet e akreditimit të Institucioneve të Arsimit të Lartë (IAL-ve) dhe programeve të studimeve në Kosovë, mandat i dhënë nga Ligji për Arsimin e Lartë.

“Për më shumë, KShC është votuar nga Parlamenti i Kosovës, në Prill të vitit 2018, me 76 vota nga 120. Me këtë, Parlamenti i Kosovës, ka treguar përkushtimin e vet për zhvillimin e arsimit të lartë në Kosovë, dhe ka marrë rol aktiv pas vendimit të Qeverisë së Kosovës që jashtëligjshëm kishte shkarkuar KShC-në paraprake, që rezultoi me përjashtim nga EQAR”, thuhet në pjesën sqaruese për veprimtarinë e KShC-së.

KShC ka bërë të ditur se ka një sërë standardesh të bazuara në Standardet dhe Udhëzimet për Sigurimin e Cilësisë në Hapësirën Evropiane të Arsimit të Lartë 2015.

“Këto standarde përfshijnë akreditimin institucional të IAL-ve dhe programeve të studimit. Në të parën janë 11 standarde (misioni publik dhe objektivat institucionale; planifikimi strategjik, qeverisja dhe administrimi; planifikimi dhe menaxhimi financiar; integriteti akademik, përgjegjësia dhe përgjegjësia publike; menaxhimi i cilësisë; mësimi dhe mësimdhënia; hulumtimi; stafi, proceset e punësimit dhe zhvillimi profesional; administrimi i studentëve dhe shërbimet mbështetëse; burimet e mësimit dhe objektet; dhe bashkëpunimi institucional), dhe të dytën janë 7 (misioni publik dhe objektivat institucionale; menaxhimi i cilësisë; stafi akademik; përmbajtja e procesit arsimor; studentët; hulumtimi; infrastruktura dhe burimet). Këto standarde janë përcaktuar bashkërisht me AKA-në, IAL-të dhe ekspertët ndërkombëtar, përmes një procesi gjithëpërfshirës në hartimin e tyre. Mbi këtë bazë, KShC ka miratuar këto standarde në Korrik të vitit 2018”, thuhet në njoftim.

Duke sqaruar vendimin e fundit për mosakreditimin e këtyre tri universiteteve publike, KShC-ja ka thënë se merr vendime mbi rekomandimet e ekspertëve sipas mandatit që ka dhe legjislacionit në fuqi.

“Ekspertët janë nga ENQA, miratuar nga KShC, ndërsa përzgjedhja e ekspertëve për vlerësim të IAL-ve dhe programe të studimeve, është përgjegjësi e drejtorit dhe stafit të AKA-së. Përzgjedhjen e ekspertëve për IAL-të dhe programet e ka bërë AKA. KShC është e shqetësuar për manipulimin e opinionit publik dhe përdorimin e vendimeve të KShC-së për lojë politike. Vendimet e KShC-së janë në funksion të garantimit të cilësisë në arsim dhe mbrojtjes së familjeve dhe fëmijëve të tyre nga programe/institucione me cilësi të kontestueshme dhe larg standardeve evropiane. KShC garanton qasje të studentëve në arsim cilësor dhe premtues për zhvillim shoqëror në Kosovë, të krahasueshëm me vendet evropiane”, thuhet në letër.

Pas paralajmërimeve nga kryeministri Ramush Haradinaj se “ndaj këtij rasti do të veprojmë menjëherë, duke ndërmarrë hapa konkret në zgjidhjen e kësaj situate”, KShC ka thënë se do t’i rezistojë çdo ndërhyrjeje në pavarësinë e AKA-së dhe vendimmarrjen nga KShC-ja. Pos kësaj ka paralajmëruar se çdo ndërhyrje të paligjshme do ta denoncojë në institucionet e drejtësisë.

“Jemi të përkushtuar të rezistojmë ndaj çdo ndërhyrje në pavarësinë e AKA-së dhe vendim-marrjen e KShC-së. Çdo ndërhyrje të paligjshme nga politika do t’i denoncojmë në institucionet e drejtësisë. IAL-të që nuk kanë marr vlerësim pozitiv për akreditim, nuk do të mund të regjistrojnë studentë në vitin akademik 2019-2020. Prandaj, ato nuk do të mbyllen, por do t’i nënshtrohen sërish procesit të re-akreditimit institucional. Studentët aktual vazhdojnë studimet në programet e akredituara. Shpresojmë se këto vendime do të ofrojnë bazë për reflektim dhe veprim të IAL-ve për përmbushjen e standardeve për akreditim”, thuhet në letër.

Asnjë koment

Comments are closed.