24-11-2024

“Kur sllavët erdhën nga shpellat e Uralit, shqiptarët …”/Disa reshta për Bërnabiçen e Serbisë, shqiptarët dhe Fishtën

Nga Bujar Kule

Kryeministrja e Serbisë Bërnabiç, doli përpara gazetarëve dhe tha që: Shqiptarët vijnë nga mali…
Shqiptarët u nxehën kaq shumë sa…
Nuk dinin sesi ti përgjigjeshin…
E bërtit njëri dhe çirru tjetri (siç e ka zakon të bëjnë shqiptarët kur zemërohen), u menduan sa u menduan dhe, nuk gjetën përgjigje më të mirë për ti thënë Bërnaviçes, sesa përgjigja që i kishte dhënë poeti, shkrimtari, dhe filozofi Gjergj Fishta, paraardhësve të Bërnaviçes, këtu e një shekull përpara se Bërnaviçja të lindte:

“KUR SLLAVËT ERDHËN NGA SHPELLAT E URALIT, SHQIPTARËT KISHIN KRYER CIKLIN DYMIJËVJEÇAR TË QYTETËRIMIT TË LASHTË!”

– E vërtet! – ja ktheu shqiptarëve të zemëruar, Bërnaviçja. Gjergj Fishta, shkrimtari dhe poeti, ju mbronte edhe atëherë kur nuk e meritonit, fliste dhe shkruante për ju, edhe atëherë kur ju, nuk kishit as gojë për të folur dhe as mend për të shkruar. Dhe ju, në këmbim, ja shpërblyet më së miri. Hë! Njësoj ashtu, si njerëzit e maleve shpërblejnë shkrimtarët dhe poetët… Librat ja mallkuat dhe ja dogjët… Varrin ja prishët… Emrin ja ndytë! E, sikur të mos ju mjaftonte që i prishët varrin, e nxorët nga dheu, dhe si qentë e tërbuar, kockat ja hodhët në Drin… Shtëpinë ku kishte lindur, ja kthyet në gërmadhë… Dhe ashtu, gërmadhë, është edhe sot e kësaj dite, por ju nuk lebetiteni kur e shihni ashtu gërmadhë… Aspak! Madje ju pëlqen! Sepse, për ju, shkrimtari i mirë, është shkrimtari i vdekur!

Mundësisht edhe i sharë, i çnderuar, me libra të djegur, i pavarrë dhe i paemër. Oh! Mos e mohoni hiç fare, sepse, në të kundërt, nëse nuk do të ishte kështu, nuk do ta linit shtëpinë e Fishtës tuaj, të bëhej gërmadhë. Nuk do të lejonit as që ti prishej varri dhe as ti ndyhej emri.
Sikur Gjergj Fishta, shkrimtari dhe poeti, të ngrihej nga varri, apo atje ku është, lart në qiell mes të mëdhenjve, të fliste rishtazi, nuk e di nëse do t’iu mbronte përsëri…

Asnjë koment

Comments are closed.