26-03-2025

Kurti në përvjetorin e Masakrës së Celinës: Nuk i harrojmë e as nuk i falim krimet e kryera nga Serbia në Kosovë

“Në këtë përvjetor të 26-të, e çdo ditë të vitit, nderojmë të martirët e dëshmorët të cilët nuk janë më me ne fizikisht, por me të cilët jemi e duhet të jemi gjithnjë shpirtërisht. U nderojmë edhe juve që jeni këtu të fortë përkundër dhembjes e pikëllimit. Krahas sakrificës së të rënëve, e çmojmë dhe duhet përherë ta çmojmë qëndresën e popullit”,u shpreh kryeministri në fjalën e tij të rastit në këtë tubim përkujtimor.

“Në këtë masakër, i vranë 82 civilë të moshave të ndryshme. 18 nga trupat i dogjën, e 13 nga të vrarët ishin fëmijë. I kujtojmë me dhimbje: Albanin, Bledarin, Besartin, Altinin, Albulenën, Suzanën, Burbuqen, Ramazanin, Mejremen, Gëzimin, Bedrushin, Albanin, si dhe Almën, e cila ishte vetëm 18 muajsh”.

“Masakra e tmerrshme e Celinës nuk ka ndodhur e vetme. Tërë stina e pranverës është e mbushur me përvjetor të masakrave që shteti i Serbisë i ka kryer mbi shqiptarët në Kosovë. Veçanërisht nga 24 marsi i vitit 1999 kur filluan bombardimet e NATO-s mbi Jugosllavinë e Millosheviqit, pikërisht për ta ndalur gjenocidin e Serbisë, ajo i pati intensifikuar dhe brutalizuar të gjitha veprimet e saj mizore, për ta përshpejtuar spastrimin etnik që synonte shfarosjen tonë”, tha kryeministri Kurti.

Ai shtoi se nën peshën e kujtimeve të rënda, si popull kemi zgjedhur të jemi të bashkuar në dhembje, por edhe në shpresë. Ne kemi mbijetuar dhe kemi ndërtuar jetën e re, në Kosovën e lirë. E megjithatë, ai tha se jemi një shtet dhe shoqëri që nuk i harron e as nuk i falë krimet e kryera nga Serbia në Kosovë dhe se Republika që dita-ditës po e kompleton infrastrukturën institucionale dhe ligjore, po i rritë kapacitetet për t’i adresuar krimet e kryera.

Asnjë koment

Comments are closed.