Kurti: Nga janari 2027, shtesat për fëmijë rriten për 25 për qind
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se shtesat për fëmijë do të rriten gradualisht në katër faza, me synimin që deri në janar të vitit 2030 të dyfishohen, në përputhje me zotimin e dhënë gjatë mandatit.
Në mbledhjen e Qeverisë, Kurti ka njoftuar se rritja e parë prej 25 për qind do të hyjë në fuqi më 1 janar 2027, ndërsa rritjet e tjera do të realizohen në fillim të viteve 2028, 2029 dhe 2030.

“Në linjë me premtimin tonë për dyfishim të shtesave për fëmijët përgjatë mandatit, kemi paraparë dhe buxhetuar rritjen graduale të shtesave në katër faza, me nga 25 për qind çdo vit mbi shumën aktuale. Pra, nga 1 janari 2027, shtesat për fëmijë rriten 25 për qind, pastaj edhe më 1 janar të vitit 2028 përsëri 25 për qind, në janar 2029 përsëri 25 për qind dhe në janar 2030 kompletohet rritja graduale, duke rezultuar në dyfishimin e shtesave për fëmijë brenda mandatit”, ka deklaruar Kurti.
Shefi i ekzekutivit ka dhënë edhe shembuj konkretë të përfitimeve për familjet nga rritja e parë, e cila pritet të nisë në janar të vitit të ardhshëm.

“Me fjalë të tjera, një familje që ka dy fëmijë dhe tash i merr 60 euro, nga janari do t’i marrë 75 euro. Kurse, një familje që ka katër fëmijë dhe tash merr 180 euro, nga janari do t’i marrë 225 euro. Dhe kjo rritje do të vazhdojë secilin vit deri në dyfishimin e shtesave për fëmijë brenda këtij mandati, ashtu sikurse që jemi zotuar para jush”, ka thënë Kurti.


