05-05-2024

Kush e mbështet politikisht drejtorin e arsimit në Prizren?

Emërimi i Skënder Susurit në krye të Drejtorisë së Arsimit (DA) në Prizren, fillimisht u pa me optimizëm. Referuar përvojës së tij në këtë fushë, dhe opozitarizmit të treguar, duke kritikuar punën në arsim të ish-qeverisjes, mendohej se ai do të sillte ndryshime në këtë sektor.

Por, nga ajo që shihet, del se shumëkush këtë mendim e pati vetëm në fillim të punës së tij. Atëherë kur sikur edhe paraardhësit e tij në këtë post, punën e nisi me hov, duke vizituar shkollat për t’u njohur me gjendjen.

Më pas, pothuajse në çdo mbledhje të Kuvendit Komunal kanë pasuar kritikat për DA-në, jo vetëm nga opozita, por edhe nga vetë përfaqësues të pozitës, shkruan sot “GazetaePrizrenit.net

Ajo që e sfidoi Susurin ishin konkurset, e sidomos ai për drejtor e zëvendësdrejtor, kur përkundër deklarimeve të tij për korrektësinë e procesit, kryetari Mytaher Haskuka ia anuloi konkursin e muajit prill, me arsyetimin se kishte pasur “shkelje teknike”.  Më pas u anulua edhe konkursi i dytë dhe procesi nisi nga e para.

Për një kohë të shkurtër kemi dy konkurse të anuluara për drejtorë shkollash, si dhe një vendim të inspektoratit për anulimin e konkursit publik, për mësimdhënës-mjek në shkollën e mesme “Luciano Motroni”në Prizren.

Kulminacioni u arrit në mbledhjen e fundit të KK-së, në seancën e jashtëzakonshme, të thirrur nga opozita për të debatuar rreth gjendjes në arsim, pas shpalljes së emrave për drejtorë të shkollave. Në këtë, pos nënkryetarit të komunës dhe drejtorëve të ekzekutivit nga partia e tij, LDK që kishte paralajmëruar bojkotin, nuk mori pjesë as kryetari Haskuka.

Në LDK kanë kritikuar se kandidatët,  pjesë e Nismës Socialdemokrate në Prizren, që edhe menaxhon Drejtorinë e Arsimit kanë marrë numrin më të madh të shkollave. Asamblistë të LDK-së, derisa kanë bërë kritikat e tyre në adresë të DKA-së, në shenjë revolte thanë se do të heqin dorë nga pjesëmarrja në KK, në rastet kur flitet për arsimin.

Në anën tjetër, Haskuka, prej të cilit pritej deklarim pas shpalljes së emrave për drejtorë, dy ditë më parë ka paralajmëruar, anulimin në tërësi të procesit të fundit të drejtorëve në rastet në të cilat ka pasur “ndikime nga jashtë”, duke thënë se për ato shkolla përkohësisht do të caktohen ushtrues detyre, por nuk ka konkretizuar për cilat raste bëhet fjalë.

Në seancën e posaçme të KK-së, kritika për gjendjen në arsim, javën e kaluar ka paraqitur edhe Mimoza Bushrani, asambliste e VV-së në, parti kjo që drejton koalicionin.

Përpos Pranverim Berishës nga Nisma Socialdemokrate, që foli me një letër të shkruar e që më tepër pati ofendime ndaj opozitës, askush tjetër nuk e përkrahte Susurin.

A është kjo një pasqyrë, që kërkon një analizë  nëse drejtori i DKA-së, tashmë gëzon mbështetje politike për ta udhëhequr një nga sektorët më të rëndësishëm komunal.

Në njëfarë forme, Susuri i ka pranuar disa mangësi të paraqitura nga opozita në procesin mësimor, ku shkaku i mungesës së përzgjedhjes së arsimtarëve kanë humbur shumë orë.

Presioni opozitar, por edhe më tepër ai brenda koalicionit qeverisës kanë bërë që drejtori i DA-së, Susuri dy herë ta paralajmërojë publikisht shqyrtimin e të ardhmes së tij, në pozitën e të parit të arsimit në Prizren.  Mbetet të shihet se çfarë do të sjellë edhe paralajmërimi i tij i fundit,  bërë në seancën e KK-së, kur tha se pas një analizimi të punës në fund të vitit, në një takim me Haskukën do ta shqyrtojnë pozicionin që mban./GazetaePrizrenit.net

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.