Kuvendarët e pozitës i dalin në mbrojtje Haskukës

Opozita në Prizren dje ka kritikuar qeverisjen lokale për çka edhe ofronte argumentet e saj, duke e vlerësuar si të dështuar qeverisjen e deritashme të kryetarit Mytaher Haskuka, ndërkaq kuvendarë të pozitës i dalin në mbrojtje ekzekutivit duke lavdëruar punën e bërë në gjashtë muajt e parë të qeverisjes, por pa ofruar fakte konkrete për projektet e realizuara, sidomos në investime kapitale, shkruan sot “GazetaePrizrenit.net”.

Në deklarimet e kuvendarëve, përkundër qëndrimeve të përafërta rreth punës së ekzekutivit, duken dallime sa i përket investimeve në zonat prej nga vijnë ata, duke lënë të kuptohet se gjatë kësaj kohe fokusi më tepër ka qenë në qytet se sa në fshatra.

Siç dihet nga janari i këtij viti në Prizren udhëheq Vetëvendosja,  që ka në koalicion LDK-në, Nismën Socialdemokrate dhe partinë turke  KDTP e atë boshnjake NDS.

Ndonëse pyetja konkrete ka qenë se cilat nga premtimet e fushatës janë realizuar, kuvendarët kryesisht folin për atë që pritet të realizohet.

Ilir Gashi, kuvendar nga Vetëvendosje, thotë se të gjitha propozimet e bëra nga ana e tij deri tash janë marrë parasysh nga Ekzekutivi dhe presin për zbatim. “Në lagjen “Ralin” ku jetoj me kërkesë të banorëve së shpejti pritet rregullimi i rrugëve: “Kosova”, “Sami Frashëri” dhe “Emin Pasha”, derisa në lagjen “Kurila/Bajer”, në bashkëpunim me komunitetin është bërë kërkesë për t’i përfunduar projektet e nisura nga qeverisja e kaluar si dhe vazhdimin e rregullimit të disa rrugëve të tjera”, ka thënë ai.

Kuvendarja Mimoza Bushrani (VV) ndërkaq, përmend zgjerimin e rrjetit dhe të ndriçimit publik në secilën lagje dhe fshat të komunës, ndërsa thotë se ka filluar projekti për furnizimin me ujë për të gjitha lagjet dhe fshatrat e Komunës, pastaj është bërë largimi i deponive ilegale dhe kthimi i tyre në zona të gjelbëruara, dhe se po vijon renovimi i stadiumit.

“Po ashtu është përmbushur 1/3 e premtimit të Haskukës për numrin e parkingjeve publike në unazën e brendshme të qytetit, ndalja e ndërtimeve pa leje dhe kthimi i hapësirave publike për qytetarët. Është shtuar gjelbërimi dhe hapësirat rekreative. Me pjesëmarrje të komunitetit në përzgjedhjen e drejtorëve të shkollave po bëhet depolitizimi i sistemit arsimor në Komunën e Prizrenit”, ka thënë ajo.

Petrit Hoxhaj, nga LDK shprehet se 80 % e propozimeve të bëra nga ai janë zbatuar, si: kërkesa për lypsaret, ku disa herë ka pas aksione për mbledhje e tyre, furnizimin me lap-top për kuvendarë, kontrollimi i lokaleve të natës tek tregu i gjelbër, pastaj inspektimi i lojërave në Parkun e qytetit, rreth fotografive pornografike, etj.

Kuvendarja e LDK-së, Sadije Jakupi thotë se pos tjerash po realizohen edhe projekte që kanë të bëjnë me gratë, si lufta kundër trafikimit të qenieve njerëzore, dhuna në familje dhe rritja e mëtutjeshme e kapacitetit të përgjithshëm të shoqërisë civile, që merren me barazi gjinore dhe të drejtat e grave, percjell “GazetaePrizrenit.net”.

“Në QKMF ekziston Qendra për mirëqenien e gruas, ku nga korriku ofrohet PAP-testi falas, ndërsa Projekti për Mamografi falas për të gjitha gratë, që ishte një kërkesë nga 16 gratë asambleiste, në bashkëpunim me K10 pritet të realizohet nga muaji tetor”, thotë ajo.

Për Pranverim Berishën, kuvendar i Nismës Socialdemokrate, ekzekutivi në Prizren ka bërë një punë të mirë, marrë parasysh “vështirësitë” me të cilat ballafaqohet komuna për shkak të qeverisjeve të kaluara. “Me mundësitë dhe rrethanat e krijuara natyrisht po shohim një ekzekutiv korrekt me synim të përmirësimin e jetës së qytetarëve në këtë komunë”, ka thënë ai, pa përmendur ndonjë projekt.

Sa i përket projekteve të realizuara në lokalitetet në të cilat jetojnë kuvendarët, situata ndryshon.

Bushrani, thotë se në lagjen nga vjen aktualisht po punohet në degëzimet e rrugës “Ali Ibra”, ku me kërkesën e komunitetit do të ndërrohet rrjeti i kanalizimeve fekale, e pastaj do vazhdohet me ndërtimin e rrugës. “Po ashtu kanalizim për herë të parë do të kenë edhe tri rrugë të tjera, e edhe kyçje për herë të parë në sistemin e ujësjellësit”.

Hoxha i LDK-së ndërkaq mohon të ketë nisur ndonjë projekt jo vetëm në lagjen e tij, por as në rrethinën e Vrrinit nga vjen ai. “Vetëm në fshatin Vlashnje është bërë matja për rregullimin e oborrit të shkollës, mirëpo ende nuk ka ndonjë lëvizje konkrete”, tha ai.

Të pyetur rreth asaj se sa po gjejnë mbështetje tek drejtorët e Drejtorive, kërkesat e tyre, pasi ka thënë se është e kuptueshme që jo çdo kërkesë e asamblistëve mund të merr mbështetjen e menjëhershme të drejtorëve, Ilir Gashi ka treguar se deri më tani çdo kërkesë që ka bërë tek Drejtorët komunal, ka hasur në mirëkuptim.

Derisa Sadije Jakupi, thotë se propozimet e saj deri më tani janë kthyer me përgjigje pozitive, sikurse  është ajo e shoqatës së grave “Renesanca”, një mendim tjetër ka kolegu i saj Hoxha, i cili shprehet i pakënaqur edhe me përgjigjen e drejtorëve ndaj pyetjeve të parashtruara. “Edhe pse 80 % e kuvendarëve kanë pyetje direkte për drejtorin e Shërbimeve publike, kurrë nuk kanë marrë përgjigje me shkrim”, thotë ai.

Përfaqësuesit e koalicionit qeverisës në Prizren, ndërkaq njëzëri kanë folur edhe për disa projekte të realizuara të komunës në fushën e bujqësisë, e që kanë të bëjnë me përkrahjen e fermerëve,  derisa njëzëri e kanë vlerësuar si transparente punën e deritashme të qeverisjes lokale./GazetaePrizrenit.net/

P.S
Në shkrimin e nesërm, “GazetaePrizrenit.net” sjell vlerësimet e përfaqësuesve të shoqërisë civile për punën e qeverisjes lokale.

https://gazetaeprizrenit.net/2018/08/28/pse-opozita-prizrenase-e-vlereson-te-deshtuar-qeverisjen-e-haskukes/