Organi më i lartë lokal, Kuvendi Komunal i Prizrenit, në mbledhjen e sotme doli në mbrojtje vlerave të UÇK-së.
Anëtarët e KK-së më shumicë votash miratuan një deklaratë politike të PDK-së, në të cilën i jepet mbështetje riafirmimit të vlerave të UÇK-së dhe Shtetit të Kosovës.
Për shkak të kushteve pandemike, mbledhja u mbajt në shtëpinë e kulturës “Xhemajli Berisha”.
D E K L A R A T Ë
- Konfirmojmë qëndrimin tonë dhe bindjen e paluhatshme se lufta mbrojtëse e qytetarëve të Kosovës, e udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, dhe e përkrahur nga forcat e NATO-së, ishte luftë e drejtë dhe e pastër për çlirimin e Kosovës kundër regjimit gjenocidal të Sllobodan Millosheviqit, forcave ushtarake, policore e paramilitare të Serbisë në Kosovë.
- Vlerësojmë të paprecedent veprimin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar për të publikuar njoftimin për një aktakuzë të pakonfirmuar nga Gjyqtari i procedurës paraprake ndaj dy prej liderëve kryesorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, z. Hashim Thaçi dhe z. Kadri Veseli.
- Shprehim shqetësimin se ky veprim i Zyrës së Prokurorit të Specializuar përbën edhe shkelje të të drejtave të njeriut, si dhe është në kundërshtim të plotë me parimin themelor të drejtësisë, atë të prezumimit të pafajësisë.
- Ritheksojmë se lufta mbrojtëse e UÇK-së ka qenë e drejtë dhe do të mbetet përherë e tillë. Ajo nuk mund të njolloset asnjëherë. Bashkësia ndërkombëtare duhet ta çmojë lart bashkëpunimin e institucioneve kosovare dhe ish-pjesëtarëve të UÇK-së me institucionet e drejtësisë ndërkombëtare përgjatë këtyre njëzet vjetëve, përfshirë Dhomat e Specializuara. Në gjithë këto procese është dëshmuar pastërtia e luftës së popullit shqiptar për liri e pavarësi.
- Njohim dhe vlerësojmë lart sakrificën, angazhimin dhe kontributin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të mbështetur nga NATO, e të udhëhequr nga SHBA-të dhe aleatet e saj, për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Solidarizohemi dhe shprehim njëzëri mbështetjen e plotë për z. Hashim Thaçi dhe z. Kadri Veseli, të cilët janë ndër themeluesit dhe udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe shprehim besimin e palëkundur për pafajësinë e tyre.
- I konsiderojmë përpjekje të padrejta dhe të rrezikshme, por të parealizueshme, tendencat për ta kriminalizuar luftën e drejtë dhe të lavdishme të popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi. Refuzojmë çfarëdo përpjekje për ta etiketuar UÇK-në si agresore;
- E vërteta për historinë e popullit shqiptar nuk mund të deformohet dhe as të tjetërsohet nga ata që pretendojnë për t’i barazuar viktimat me kryesit e krimeve serbe. Kosovën nuk mund ta dobësojë askush dhe të ardhmen e saj euroatlantike nuk mund ta devijojë dhe as ta ndalë asnjë përpjekje.
- Si përfaqësues të qytetarëve, të zgjedhur në mënyrë demokratike, bëjmë thirrje për unitet mes njerëzve dhe bashkërendim të angazhimeve ndërmjet partive politike për të ruajtur shtetin e Kosovës, vlerat e luftës dhe pastërtinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.