Kuvendi i Prizrenit miraton Kornizën Afatmesme Buxhetore trevjeçare, opozita bojkoton
Kuvendi Komunal (KK) i Prizrenit, pa votat e opozitës, sot me shumicë votash miratoi Kornizën Afatmesme Buxhetore trevjeçare (KAB) për periudhën 2020-2022.
Pas debateve të anëtarëve të pozitës dhe opozitës rreth parashikimeve të parapara për KAB, KK me 22 vota për dhe një abstenim miratoi atë, transmeton “GazetaePrizrenit.net”.
Votimi u bë pa praninë e opozitës, PDK-së e AAK-së, kuvendarët e të cilës në fund e kanë braktisur mbledhjen e jashtëzakonshme të KK, kur fjalën e mori kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka.
Gjatë fjalimeve të tyre kuvendarët opozitarë, kritikuan KAB-in duke e vlerësuar kopje e dobët e ish-qeverisjes.
Derisa kryetari i Komunës, Haskuka e arsyetoi KAB-in në harmoni me premtimet e bëra gjatë fushatës, duke thënë se përfitues janë të gjithë qytetarët, opozita e vlerësoi atë si buxhet skandaloz dhe jozhvillimor, meqenëse përveç kubëzave dhe asfaltit, në këtë buxhet dukuri e re është zhavori dhe mbjellja e drunjve dekorativ, që për tri vitet e ardhshme janë planifikuar mbi 1.2 milion euro.
Drejtori për Ekonomi dhe Financa, Ertan Simitçi, i cili e prezantoi para kuvendarëve Kornizën Afatmesme Buxhetore, rikujtoi se gjatë përpilimit të kësaj kornize janë organizuar gjithsej 8 dëgjime publike gjatë muajit prill nga drejtoritë e ndryshme komunale, për t’i marrë parasysh rekomandimet e ndryshme të qytetarëve.
Nënkryetarja për e KK-së për komunitete në Prizren, Memnuna Hajdini ndërkaq tha se në buxhet duhet të parashihen investime të balancuara edhe në zonat e komuniteteve /GazetaePrizrenit.net/.