07-10-2024

Kuvendi i Prizrenit miraton Kornizën Afatmesme Buxhetore trevjeçare, opozita bojkoton

Kuvendi Komunal (KK) i Prizrenit,  pa votat e opozitës,  sot me shumicë votash miratoi Kornizën Afatmesme Buxhetore trevjeçare (KAB) për periudhën 2020-2022.

Pas debateve të anëtarëve të pozitës dhe opozitës rreth parashikimeve të parapara për KAB, KK me 22 vota për dhe një abstenim miratoi atë, transmeton “GazetaePrizrenit.net”.

Votimi u bë pa praninë e opozitës, PDK-së e AAK-së, kuvendarët e të cilës në fund e kanë braktisur mbledhjen e jashtëzakonshme të KK, kur fjalën e mori kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka.

Gjatë fjalimeve të tyre kuvendarët opozitarë, kritikuan KAB-in duke e vlerësuar kopje e dobët e ish-qeverisjes.

Derisa kryetari i Komunës, Haskuka e arsyetoi KAB-in në harmoni me premtimet e bëra gjatë fushatës, duke thënë se përfitues janë të gjithë qytetarët, opozita e vlerësoi atë si buxhet skandaloz dhe jozhvillimor,  meqenëse përveç kubëzave dhe asfaltit,  në këtë buxhet dukuri e re është zhavori dhe mbjellja e drunjve dekorativ, që për tri vitet e ardhshme janë planifikuar mbi 1.2 milion euro.

Drejtori për Ekonomi dhe Financa, Ertan Simitçi, i cili e prezantoi para kuvendarëve Kornizën Afatmesme Buxhetore, rikujtoi se gjatë përpilimit të kësaj kornize janë organizuar gjithsej 8 dëgjime publike gjatë muajit prill nga drejtoritë e ndryshme komunale, për t’i marrë parasysh rekomandimet e ndryshme të qytetarëve.

Nënkryetarja për e KK-së për komunitete në Prizren, Memnuna Hajdini ndërkaq tha se në buxhet duhet të parashihen investime të balancuara edhe në zonat e komuniteteve /GazetaePrizrenit.net/.

 

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.