23-11-2024

Kuvendi i Prizrenit do ta votojë pezullimin e financimit të “Lirisë”

Kuvendi Komunal (KK) i Prizrenit sot në mbledhjen e jashtëzakonshme për klubin futbollistik “Liria”, dha propozimin  që vendimi për pezullimin e financimit të “Lirisë” të votohet në mbledhjen e ardhshme dhe deri atëherë, të hartohet një vendim i ri që do ta qartësonte mënyrën e financimit të klubit nga ana e Komunës së Prizrenit.

Në këtë kontekst do të shikohet edhe vendimi për “Politikat zhvillimore për kulturë, rini dhe sport”. Në seancën e radhës që parashihet të mbahet deri me 3 korrik, pritet të shfuqizohet komplet vendimi i mëparshëm i vitit 2014, dhe një komision i përbërë nga shefat e grupeve, të cilat janë pjesë e Asamblesë komunale, kryetarit të Komunës,  kryesuesit  të KK-së duhet ta sjellin një vendim dhe një rregullore të re për ndryshimin  e qasjes së financimit të të gjitha shkollave të futbollit edhe sporteve të tjera, shkruan “Gazeta e Prizrenit”.

Kjo është bërë pas takimit të shkurtë të shefave të grupeve të kuvendarëve, të cilët më pas edhe në Kuvend e përkrahën një vendim të tillë.

Paraprakisht pati një debat në mes të kuvendarëve, të cilët paraqitën qëndrimet e tyre, duke pasur parasysh financimin e “KF Liria” nga ana e Komunës së Prizrenit.

Mbledhja ishte thirrur nga kryesuesi i KK-së, Artan Abrashi, me pikën e vetme të rendit të ditës, e cila ishte në lidhje me kërkesën për pezullim të financimit të klubit të futbollit “KF Liria” dhe formimin e një komisioni prej 5-7 anëtarëve nga ana e Kuvendit, derisa të merret një vendim i ri.

Fotografia e Komuna e Prizrenit

Kërkesën për një seancë e tillë e kishte bërë AAK, përkrahur edhe nga PDK, parti këto të opozitës në këtë qytet.

Pas diskutimit të gjerë dhe duke ditur se akoma nuk ka ndonjë raport të auditorit, i cili do ta qartësonte saktësisht situatën financiare në klub, u propozua që në vend të votimit për pikën e caktuar në rend dite, Abrashi propozoi të bëhet një takim ndërmjet shefave të grupeve kuvendare me qëllim të harmonizimit të një qëndrimi të përbashkët, që rezultoi me pajtimin e tyre për propozimin e lartcekur./GazetaePrizrenit.net

Lexo edhe:

Kryesuesi Abrashi propozon të pritet raporti i auditimit për klubin Liria

Asnjë koment

Comments are closed.