Ky është personi që e bleu armën e vjedhur të zyrtarit të AKI-së në Prizren, ka të kaluar kriminale
Hajni që përfundoi në paraburgim për vjedhjen që e kreu në shtëpinë e një zyrtari të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI) në Prizren, kishte arritur që armën zyrtare ta shes te një person tjetër. Ky i fundit u dorëzua në Polici dhe përfundoi në ndalim policor, teksa brenda afatit ligjor është ushtruar kërkesa për masën e sigurisë, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se i dyshuari që u fut në telashe pasi bleu armën e zyrtarit të AKI-së nga hajni që e vodhi është Hajrullah Brcanin.
I dyshuari kryesor, Menderes Kadri, armën zyrtare që e kishte vjedhur bashkë me çantën e zyrtarit të AKI-së e ka shitur për 200 euro te i dyshuari tjetër.
Edhe ky i fundit ka dalë para Gjykatës, ku është mbajtur seanca dëgjimore, me ç’rast është aprovuar kërkesa e Prokurorisë për masën e paraburgimit.
Lajmin për Sinjalin e konfirmuar edhe zyrtari i Gjykatës Themelore në Prizren, Marcel Lekaj, i cili njoftoi se ndaj të dyshuarit ekziston dyshimi se ka kryer tri vepra penale.
“Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, Gjyqtari i procedurës paraprake, me datë 08 mars 2024, ka marrë AKTVENDIM, është aprovuar kërkesa për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurit H.B., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale: blerja, pranimi, ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale nga neni 333 par. 1, mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve nga neni 366 par. 1, dhe përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm nga neni 367 par. 1 të KP-së.
Ndaj të pandehurit është caktuar MASA E PARABRUGIMIT, në kohëzgjatje prej një (1) muaji e cila mund të zgjasë deri më datë 06.04.2024.
Gjyqtari i procedurës paraprake, duke vlerësuar kërkesën e Prokurorit të Shtetit, shkresave të lëndës dhe provave materiale të grumbulluara deri në këtë fazë, ka gjetur se kërkesa për caktimin e paraburgimit është e bazuar.” – thuhet në përgjigjen e Lekajt.
Sipas vlerësimit të Gjykatës, me lënien në liri të të dyshuarit ekziston rreziku i arratisjes me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale, për shkak të peshës së rëndë të veprave penale që i vihen në barrë, si dhe për faktin se që nga dita kur dyshohet se janë kryer veprat penale, ka qenë i paarritshëm për organet e drejtësisë.
Ndaj tij, po ashtu rezultojnë tri aktgjykime për tri vepra penale.
“Gjithashtu, me rastin e caktimi të paraburgimit, Gjyqtari i procedurës paraprake ka marrë parasysh se ndaj të pandehurit në evidencën penale, rezultojnë tre (3) aktgjykime të plotfuqishme për vepra penale, vjedhje e rëndë, lëndim trupor, vepra penale të narkotikëve, kjo dëshmon se me lënien në liri të të pandehurit në këtë fazë, ekziston rreziku i përsëritjes së veprave penale të ngjashme apo i kryerjes së veprave penale të tjera.”