24-04-2024

Ky është vendimi i Apelit ndaj Ragip Begajt për akuzë e korrupsionit

Ish-kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, muaj më parë ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me gjashtë muaj burgim, nën akuzat për korrupsion. Ky aktgjykim i Themelores është hedhur poshtë nga Gjykata e Apelit, e cila ka liruar nga akuzar Begajn, me një vendim të marrë më 28 korrik.

Me aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë Begaj ishte shpallur fajtor për veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe ishte gjykuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej gjashtë muajve, i cili dënim me pëlqimin e të akuzuarit i ishte zëvendësuar me dënim me gjobë në shumë prej 5000 euro.

Gazeta Sinjali ka siguruar aktgjykimin që u mor nga trupi gjykues i Apelit, ku thuhet se është aprovuar si e bazuar ankesa e avokatit mbrojtës të Begajt lidhur me aktgjykimin e Themelores në Prishtinë.

Begaj akuzohej se me dashje dhe duke shfrytëzuar autoritetin zyrtar i ka tejkaluar kompetencat e tij, duke i shkaktuar dëm Rexhep Rudit dhe buxhetit të Komunës së Malishevës me rastin e ndërtimit të një shkolle në fshatin Drenoc.

Një pjesë e kësaj shkolle ishte planifikuar që të ndërtohet në pronë private, e cila ishte në kundërshtim me vendimet e Komunës së Malishevës.

Ndryshe, gjatë seancës fillestare të mbajtur më 5 gusht 2021, lidhur me këtë rast, Begaj kishte deklaruar se ndjehet i pafajshëm.

Aktakuza në këtë rast ishte konfirmuar në shtator të vitit 2021, vendim ky që ishte marrë nga gjykatësja e Departamentit Special e ngarkuar me këtë lëndë, Violeta Namani. /Gazeta Sinjali /

Asnjë koment

Comments are closed.