“La Rrem”, jetësimi artistik i Muharrem Qenës
Në dërrasat e teatrit, të cilat ai shihte diçka të shenjtë, u luajt vetëm për të. Këngët e tij, e bën publikun të zhytet në ritmin e kujtimeve. Rebeli i kohës, zëri kundërshtues dhe i panënshtruari u ‘ringjall’ përmes njëjtësimit të aktorëve me figurën e tij.
Rezistenca, njerëzorja e profesionalizmi patën një emërues, Muharrem Qenën.
Aktori, regjisori, dramaturgu e këngëtari mitrovicas frymoi mes lotëve e gazit të publikut në premierën e shfaqjes “La Rrem” në Teatrin Kombëtar të Kosovës.
Nën regjinë e Kushtrim Koliqit, përmes copëzave të jetës së tij, shfaqja dha mesazhin universal të të qenit njeri.
“Laramania e tij, na ka dhënë neve mundësi që në mënyrë të larmishme ta prezantojmë shfaqjen tonë. Kur kemi nisur të punojmë kemi thënë “Për Muharrem Qenën nuk mjaftojnë rrëfimet”, por jemi munduar t’i marrim të gjitha elementet e tij të jashtëzakonshme që e bëjnë një artist me shumë ideale, shumë parime, jo konformist, anti-sistem, kundër establishmentit me idenë që nuk bën kompromise për parimet që ai i ka. Kemi dashur ta bëjmë një personazh i cili nuk është reflektim vetëm i Muharremit, por i njerëzve të cilët neve na duhen”, thotë Koliqi.
Igballe Qena ishte aty për të parë jetësimin artistik të privates e profesionales të njeriut që kaloi jetën me të.
“Kam parë shumë momente që i kemi kaluar, që i kemi tejkaluar bashkë. E kemi përkrah njëri tjetrin edhe në aspektin moral edhe ideologjik si familje. Skena e fundit për mua është shumë emocionuese, sepse pikërisht ato fjalë “nuk ta di emrin, por të dua shumë”, ajo më ka zgjuar emocione. Ajo është realiteti i ditëve të fundit të jetës së tij”, thotë Qena.
Realizimi profesional i shfaqjes u la mbresa edhe drejtuesve të institucioneve shtetërore.
“Unë e kalova sheshin prej zyrës erdha këtu në Teatër dhe është vështirë tash të kthehem në zyrë, për shkak të gjithë këtyre ndjenjave që i transmeton shfaqja “La rrem”, e cila është pasioni, dashuria, kënga, zemra e një brezi që personifikohet me artistin e madh, Muharrem Qenën”, tha kryeministri Albin Kurti.
“Ishte një moment shumë i rëndësishëm për ta kujtuar një prej figurave më qendrore të artit dhe kulturës në Kosovë, sidomos të skenës të teatrit por edhe të muzikës e shumë veprimtarive të tjera. Besoj se e pamë një shfaqje shumë të mirë, me një kastë të mrekullueshëm aktorësh, përbërje shumë të mirë të njerëzve në regji, tekst e pjesën tjetër të organizimit”, tha ministri i Kulturës, Rinisë e Sportit, Hajrulla Çeku.
Përshëndetja e fundit ndaj ‘laramanëve’ të artit, politikës e fushave të tjera, duke u gërshetuar me interpretimin e këngës “Lamtumirë” shënoi fundin e shfaqjes.
Të gjithë u ngritën, duartrokitën fuqishëm, ndërkaq Qena edhe njëherë ‘shkeli’ teatrin, kësaj radhe i ardhur në formë kujtimi.
https://www.koha.net/express-ktv/270627/la-rrem-jetesimi-artistik-i-muharrem-qenes/