25-04-2024

Libri e filmi “Syri i shqiponjës” i Ilaz Kadollit, dëshmi historike për luftën e UÇK-së

Në kontekstin e kremtes së 140-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në mjedise të qendrës kulturore “Europa” në këtë qytet u bë përurimi i librit dhe shfaqja e filmit dokumentar me të njëjtin emër  “Syri i shqiponjës”, të veprimtarit të çështjes kombëtare, tani avokatit Ilaz Kadolli.

 

Ky aktivitet zgjoi interesim të madh, aq sa salla e kinemasë “Dokukino” nuk i zuri ata që patën dëshirë ta përcjellin shfaqjen e filmit dhe një numër i konsiderueshëm e kanë ndjekur nga korridori ose janë kthyer mbrapshtë.

 

Filmi,  sikurse edhe libri, paraqesin një rrëfim interesant për luftën çlirimtare. Pjesa për veprimet ushtarake dëshmon se sa më përkushtim kanë luftuar ushtarët dhe eprorët e UÇK-së.

 

Redaktori  Abdyl Kadolli, ka thënë se këtu paraqitet se si luftëtarët e lirisë ishin të frymëzuar për idealin për çlirimin e vendit, ndërsa mund të mësohet se si janë planifikuar, mbështetur e zhvilluar aksione luftarake të njësitit “Syri i Shqiponjë” të UÇK -së kundër forcave okupuese serbe.

’’Libri është një testament burimor, një jetëshkrim i identifikuar me idealin e lirisë dhe përkushtimit sublim, për kurorëzimin e saj”, ka thënë ai.

Sipas A. Kadollit “Syri i shqiponjës” ka parë gjithë dramën e luftës çlirimtare, organizimin e formacioneve të reja ushtarake, odisenë e furnizimit me armatim dhe ndeshjen me ofensivat e egra armike dhe heroizmin në fushëbeteja.

Në rrëfimet e autorit po ashtu dalin në pah edhe të gjitha kategoritë e palëve ndërluftuese, në dy  kampet e mëdha, pra ata që ishin për luftën çlirimtare dhe ata kundër saj.

 

Një veprimtar i ri politik kishte vërejtur me të drejtë se shumë pak po shkruhet për veprimet luftarake e heroizmat e UÇK-së dhe po shpifet shumë kundër saj, sikur ajo nuk paska bërë asgjë kundër okupatorit.

 

Libri “Syri i shqiponjës” i Kadollit për luftën çlirimtare është jo vetëm një informacion burimor për heroizmat e UÇK-së, por edhe një dëshmi historike për studiuesit tanë të luftës së lavdishme të UÇK-së. Recensionin e librit e ka bërë Emrush Xhemjali.

 

Ndryshe, autori Ilaz Kadolli është njëri nga themeluesit e LPK-së. Është i burgosur politik nga ish regjimi serb, ka qenë njëri nga themeluesit e pjesëmarrësit e luftës çlirimtare, themelues e kuadër udhëheqës i njësitit special diversant “Syri i Shqiponjës” të ZOP gjatë viteve 1998-1999.

 

Pas çlirimit ai ka qenë nënkryetar i parë i komunës së Therandës, në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës. Më pas deri më 2003 ka qenë edhe oficer i TMK-së./gazetaeprizrenit.net/

 

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.