Malishevë: Aktakuzë ndaj një të dyshuare për vrasjen në Lladrovc
Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurës N. Rr, për shkak të veprave penale “Vrasje”, dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
E dyshuara ndodhet në paraburgim që nga tetori i vitit të kaluar.
Sipas aktakuzës, më 04. 08.2018, në fshatin LLadrovc, Komuna e Malishevës, e pandehura N. Rr, me dashje, për motive të panjohura ka privuar nga jeta tani të ndjerin S.B.
Aktakuza thotë se përderisa ishin duke ecur me automjetet e tyre, në një çast e pandehura e kishte ndalur veturën dhe kishte shkuar te vetura e tani të ndjerit, ishte ulur në automjetin e tij, e kishte nxjerrë nga çanta revolen, dhe e kishte qëlluar të ndjerin disa herë në kokë dhe në qafë.
Gjithashtu e dyshuara akuzohet se më parë e deri më 04.08.2018, pa autorizim ka mbajtur armë, të cilën edhe e ka përdorur për ta privuar nga jeta tani të ndjerin S.B, dhe kështu ka kryer veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, thuhet në komunikatë.
Prokurori i rastit ka propozuar Gjykatës Themelore në Gjakovë që e pandehura të dënohet sipas ligjit për veprat penale të cilat i vihen në barrë.