Malishevë: E shtypi gabimisht telekomandën, 55-vjeçari preu këmbën në vendin e punës

Kishte dalë në punë si çdo ditë tjetër, por këtë të martë 55-vjeçari S. Th., punonjës i kompanisë për bartjen e mbeturinave, nga pakujdesia bëri një gabim i cili mund t’i kushtonte me jetë.

Në momentin kritik, ai kishte shtypur gabimisht telekomandën e cila shërben për kapjen e kontejnerëve, derisa ishte duke kryer punën e tij në fshatin Berishë të Malishevës.

Kontejneri e kishte mbështetur atë për kamionin e mbeturinave, ku si pasojë ai kishte prerë shputën e këmbës.

Drejtori i Policisë Rajonale të Gjakovës, Lumni Graishta, ka thënë për Gazetën Express se i tërë rasti ka ndodhur si pasojë e pakujdesisë së 55-vjeçarit.

“Punëtori nga pakujdesia ka shtypur telekomandën, me ç’rast kontejneri e ka mbështetur për kamioni, duke i shkaktuar prerje dhe dëmtim të këmbës”, ka deklaruar Graishta.

Ndërkaq, rasti nga Policia e Kosovës po cilësohet si “Asgjësim, dëmtim ose heqje e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.

Kjo është bërë e ditur përmes raportit 24 orësh të policisë.

“Fsh. Berishë, Malishevë 14.01.2020-11:45. Viktima mashkull K-Shqiptar, ka kërkuar ndihmën mjekësore në QKMF –Malishevë pasi që i njëjti ka lënduar-prerë shputën e këmbës. Viktima është dërguar për tretman të mëtutjeshëm në QKUK Prishtinë. Lidhur me rastin është njoftuar inspektori i punës i cili ka dalë në vendin e ngjarjes”, theksohet në raport.

Ndërkaq edhe një punëtor tjetër është lënduar në vendin e tij të punës, të hënën në Lipjan.

Rasti ka ndodhur në rrugën “Bajram Gashi” në Lipjan, ndërkaq si pasojë e lëndimeve të marra, viktima është dërguar për trajtim mjekësor në QKUK.

Kujtojmë se Inspektorati i Punës për vitin 2018 ka bërë gjithsej 9114 inspektime, ku 4773 inspektime të rregullta, 2439 inspektime të përsëritura, 1742 inspektime me kërkesë të palës dhe 160 inspektime të përbashkëta.

Ndërsa në lidhje me masat ndëshkuese gjatë vitit 2018 janë dhënë vërejtje, gjoba dhe masa tjera në shkallë të dytë.

“Janë dhënë 1340 vërejtje, 270 gjoba, 233 vendime në shkallë të dytë. Ndërsa janë ekzekutuar 13 prej tyre për vitin 2018, kurse 62 janë dërguar në përmbarim”, thuhet në raport.

Gazeta Express ka kontaktuar me përfaqësues të Inspektoratit të Punës për të marrë statistikat rreth lëndimeve në vendin e punës gjatë vitit 2019, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje./Express/