Masat e reja antiCovid: Asnjë kufizim për të hyrë në Kosovë
Ministria e Shëndetësisë ka konfirmuar se nuk ka asnjë lloj kufizimi për të hyrë në Republikën e Kosovës. Në masat e reja të publikuara, nuk përmendet asnjë lloj kufizimi as në rrugë tokësore dhe as atë ajrore.
Deri para pak ditësh, për të hyrë në Kosovë duhej certifikata e vaksinimit ose testi negativ kundër COVID-19.
Megjithatë, të gjithë punonjësit e institucioneve publike, ndërmarrjeve publike qendrore e lokale, i bizneseve private, organizatave, si dhe subjektet tjera, duhet të posedojnë certifikatën e vaksinimit me dy doza oseduhet të posedojnë testin RT-PCR negativ për COVID 19 jo më të vjetër se një javë.
Ende rekomandohet bartja e maskës duke mbuluar hundën dhe gojën në ambientet e mbyllura, si dhe në mjetet e transportit publik dhe ndërkombëtar.
Vendimi për masat kundër COVID-19 u tha se është bazuar në vlerësimin e situatës së intensitetit të përhapjes dhe kapacitetit të sistemit shëndetësor për t’u përgjigjur, por duke i vlerësuar ato edhe nën dritën e efekteve të këtyre masave që mund të ketë në mirëqenien e përgjithshme të shoqërisë dhe individëve.
Kryeministri Albin Kurti deklaroi të shtunën se situata epidemiologjike me koronavirus është stabile, prandaj edhe është rekomanduar lehtësimi i masave.
Ndërsa ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi ka thënë se masat e propozuara me këtë vendim shërbejnë që situata epidemiologjike të mbahet nën kontroll.
“Jemi në situatë që të kërkojmë nga qeveria që t’i lehtësojmë masat që kemi pasur deri tash për COVID-19, masat e përcaktuar me këtë propozim vendim shërbejnë që situata epidemiologjike të mbahet nën kontroll”, tha Latifi.