15-04-2024

Mashtrimi me subvencione, prokuroria ngre aktakuzë ndaj pesë personave

Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se pas zhvillimit të hetimeve, mbledhjes dhe analizimit të provave materiale dhe personale, Departamenti për Krime të Rënda, respektivisht Njësiti Kundër Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion, ka ngritur aktakuzë ndaj pesë (5)  personave, prej tyre katër në cilësinë e personave zyrtar, si Inspektor për Kontroll në Teren pranë AZHB-së, të cilët pas një marrëveshje paraprake dhe me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme për personin tjetër, në këtë rast përfitueses së një granti, tani e pandehura M.D., në bashkëkryerje kanë përpiluar dhe prezantuar raporte të rrejshme tek organet kompetente, duke konstatuar se përfituesja e grantit, tani e pandehura “kinse” kishte plotësuar kriteret e kërkuara për subvencionimin e një granti për kultivimin e bletëve, ndërsa në realitet e njëjta nuk plotësonte kriteret e parapara ligjore, ngase nuk posedonte asnjë shoqëri (koshere) të bletëve, ku si rezultat i veprimeve nga personat e lartcekur, buxhetit të Republikës së Kosovës i janë shkaktuar dëme në shumën prej 11,753.30 €.

Me këtë të pandehurit: A.Ç., A.H., L.K. dhe K.Z., si persona zyrtar në bashkëkryerje e kanë kryer veprën penale “Mashtrimi në detyrë”, nga neni 419 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, ndërsa përfituesja e grantit, e pandehura M.D., e ka kryer veprën penale “Mashtrimi me subvencione”,  nga neni 324 paragrafi 1 të KPRK-së.

Po ashtu, ju njoftojmë se me rastin e ngritjes së aktakuzës, Prokurori i Shtetit i ka propozuar gjykatës kompetente që të pandehurit të shpallën fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cilat iu vihen në barrë, si dhe ka propozuar që të pandehurve të lartcekurt’iu ndalohet ushtrimi i funksionit në administratë publike apo funksioneve në shërbime publike, si dhe t’iu shqiptohet dënimi plotësues, duke urdhëruar që të kompensojnë dëmin e shkaktuar ndaj buxhetit të Republikës së Kosovës deri në përmbushjen e vlerës së dëmit të shkaktuar si rezultat i veprave penale të tyre.

Asnjë koment

Comments are closed.