I riu shqiptar shkoi në Itali për të festuar por vdiq në aksident – shoferi italian dyshohet të ishte nën efektin e drogës

Italiani 45-vjeçar po i jepte makinës nën efektin e kokainës dhe alkoolit të dielën e 21 Janarit, kur përfundoi në korsinë tjetër të rrugës në Pontebbana të Pordenones, duke i marrën jetën të riut shqiptar dhe duke plagosur 2 të tjerë.

Një fakt edhe më rëndë ky për familjarët e Dorjo Dukës, 30-vjeçarit shqiptar që jetonte në Tiranë e që humbi tragjikisht jetën nga ngjarja në fjalë.

Nga përplasja e dy makinave ‘kokë më kokë’, i plagosur mbeti edhe kushëriri i Dukës. 25-vjeçari sipas mediave italiane vijon të jetë në gjendje të rëndë dhe ndodhet në terapi intensive.

Të mërkurën mësohet se mjekëve iu desh të kryenin me urgjencë një ndërhyrje kirurgjikale, për shkak të komplikacioneve.

Në foto viktima Dorjo Duka, 30 vjeç

Duka kishte shkuar në Itali të premten, për të festuar ditëlindjen e kushëririt të tij. Ai kishte vetëm 9 ditë që ishte martuar.

Mes dhimbjes për humbjen e njeriut të tyre të shtrenjtë dhe ankthit për fatin e 25-vjeçarit, familjarët tërhoqën të mërkurën trupin e pajetë të 30-vjeçarit. Ai do të përcillet për në banesën e fundit të premten./tvklan.al