12-12-2024

Maturantët e “Gjon Buzukut” të Prizrenit e bëjnë festë kthimin nga ekskursioni ( VIDEO )

Pas një qëndrimi gjashtë ditorë në ekskursionin tradicional që organizohet në  Shqipëri,  në përfundim të maturës, sot pasdite  maturantët e gjimnazit “Gjon Buzuku” janë kthyer në Prizren.

Me të mbërritur në qytetin e tyre, ata kanë krijuar një atmosferë emocionale, të paharrueshme, duke vallëzuar me lodra në mjedise të parkingut të kompanisë “Atmaxha”, që edhe ka qenë fituese e tenderit të këtij ekskursioni, transmeton “Gazeta e Prizrenit”.

E tëra është përcjellë edhe nga prindër dhe familjarë të maturantëve të kësaj gjenerate, të cilët kishin dalë t’i prisnin fëmijët e tyre, që mbase edhe mund ta kenë pasur ndarjen më të gjatë pa prindërit.

Gjimnazi i Prizrenit është ndër shkollat më të mëdha në Kosovë, ndërsa në këtë ekskursion,  përfshirë edhe paralelet në Gjonaj, Ramajë dhe Reçan,  kanë qenë  rreth 600 maturantë, nga të gjitha komunitetet që jetojnë këtu, përfshirë ata boshnjak, turq dhe të komunitetit RAE.

Ky nuk do të jetë fundi i kremtes së tyre, pasi pjesë e emocioneve do të jetë edhe Mbrëmja e Maturës që organizohet javën që vjen./GazetaePrizrenit.net

Asnjë koment

Comments are closed.