Mbi 120 mijë kosovarë humbën punën gjatë pandemisë
Konfirmimi i rasteve të para me COVID-19 në Kosovë jo vetëm që ndikoi në shëndetin e shumë qytetarëve e u mori jetën shumë prej tyre, por ndikim të madh pati edhe në fushën e zhvillimit ekonomik.
Pandemia COVID-19 përpos në shëndet, ndikim të madh pati edhe në xhepin e shumicës së qytetarëve.
Përpos që shumë prej tyre patën rënie të financave të cilat i sigurojnë zakonisht, disa nga ta humbën edhe vendin e punës.
Përballja me mungesën e punës keqësoi situatën në shumë familje kosovare, duke u pamundësuar kryerjen e shumë gjërave elementare për jetë.
Vetëm gjatë vitit të kaluar mbi 120 mijë qytetarë humbën vendin e punës.
Kjo është bërë e ditur për lajmi.net nga Kryeari i Sindikatës së Punëtorëve, Jusuf Azemi.
Azemi tha se sipas të dhënave që posedojnë, vitin e kaluar humbën vendin e punës mbi 120 mijë qytetarë, ku 60 mijë prej tyre ishin të legalizuar si punëtorë, e 60 mijë të tjerë të palegalizuar.
“Sipas të dhënave vitin e kaluar mbi 120 mijë punëtorë kanë humbur vendin e punës.60 mijë kanë qenë të legalizuar kurse 60 mijë të tjerë kanë qenë të paleglaizuar. Për këtë vit s’kemi ende statistika të saktë, por megjithatë ka filluar që edhe këtë të ketë numër të madh të punëtorëve që po humbin vendin e tyre të punës për shkak se në njëfarë forme gjendja është e mirë dhe për një kohë të shkurtër nuk kanë arritur të rimëkëmbën ende”, tha ai.
Azemi theksoi se gjendja ekonomike është e rëndë thuajse në të gjitha sektorët, por pati rënie të madhe të numrit të punëtorëve në sektorin e prodhimit tek kompanitë e vogla, pasi produktet nuk dolën në treg dhe kësisoj pati edhe rënie.
“Por ka ngritje paksa tek ndërtimtaria përndryshe tek të tjerat kemi rënie të numrit të punëtorëve.Kryesisht ka pasur rënie të punëtorëve tek ndërmarrjet e mesme dhe të vogla të cilat mezi kanë mbijetuar, kemi rënie të punëtorëve tek prodhimi i kompanive për prodhimin e pijeve, dritareve, tek gastronomia pasi që përderisa njerëzit janë varfëruar dhe nuk mund të shkojnë pa një komoditet ka rënie edhe të punëtorëve”, deklaroi Azemi.
I njëjti theksoi se rënie e numrit të punëtorëve pati tek të gjitha sektorët, por që të lartcekurat ishin ndër më të prekurat si pasojë e pandemisë COVID-19.
Duhet përkujtuar që të gjitha ata që humbën punën gjatë pandemisë COVID-19 parashihej që të paguheshin me nga 300 euro, llogaritur për tre muaj radhazi, por që një gjë e tillë nuk u funksionalizua ende.
Qytetarët të cilët patën humbur vendin e punës duhej që të përmbushnin disa formularë me të dhëna të saktësuara lidhur me humbjen e vendit të punës, në mënyrë që nga Ministria e Financave të alokoheshin paratë në fjalë.
Madje në një përgjigje të dhënë nga Ministria e Financave më parë për lajmi.net u tha se me vendim të datës 14 janar 2021, Qeveria e Kosovës ka aprovuar masat për zbatimin e Programit të Rimëkëmbjes Ekonomike për vitin 2021, në vlerë prej dyqind e njëzet e dy milionë e katërqind mijë euro.
“Në këtë vendim janë ndarë mjete edhe për mbështetje për personat që kanë humbur vendet e punës, si pasojë e pandemisë (COVID-19) në shumë prej 10,000,000 € (dhjetë milionë euro). Sa i përket implementimit të kësaj mase, përgjegjëse është Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale. Andaj, për informacione më të detajuara, ju lusim që të drejtoheni te MPMS”, thuhej tutje nga MF.
Por nga Zyra për Informim së Punës dhe Mirëqenies Sociale u tha se është formuar Grupin Ndërministror për përcaktimin e kritereve dhe përgatitjen e planit operacional për zbatimin e Masës 16.
“Grupi Punues Ndërministror brenda dy ditë obligohet të hartojë dokumentin e kritereve se kush mund të përfitojë nga aplikimi i Masës 16, sipas vendimit të Qeverisë, të datës 18 shkurt 2021.Për implementimin e kësaj mase, Qeveria ka angazhuar edhe Agjencinë Shtetërore të Informacionit, për krijimin e një platforme elektronike, përmes së cilës do të bëhet aplikimi për të gjithë ata që kualifikohen si përfitues të kësaj mase”.
Por pas gjithë kësaj nuk ka pasur ndonjë deklarim se nëse këto para janë marrë nga qytetarët të cilët dëshmuan se humbën vendin e punës në kohë pandemie.
Pavarësisht kësaj situata pandemike po vazhdon ende dhe numri i rasteve me COVID-19 vazhdon të jetë i lartë. Derisa qytetarët ende s’kanë mundësinë e vaksinimit dhe masat antiCOVID vazhdojnë të jenë aktive, situata edhe në ekonomi vazhdon të jetë e rëndë