Mbledhja sfiduese për kryetarin Haskuka

Nesër, (të mërkurën) do të mbahet mbledhja e Kuvendit të Komunës (KK) së Prizrenit, Kjo pritet të jetë më sfiduesja për kryetarin e Komunës, Mytaher Haskuka, meqenëse për herë të parë pas luftës, shumicën e vendeve i mban opozita, shkruan sot ‘Gazeta e Prizrenit’.

Ndonëse është mbledhje e rregullt, seanca e shtatë për këtë vit, pritet të jetë nga më të veçantat, për të parë startin e zhvillimeve në organin më të lartë lokal, ku udhëheq kryetari i komunës,  nga një forcë tjetër politike ( Vetëvendosje),  por që numrin më të madh të ulëseve, apo 21 nga 41 sa ka KK i mban opozita.

Një situatë e tillë vjen pas konfigurimit të forcave politike në KK, pas daljes nga koalicioni qeverisës i Nismës, e cila pas shkarkimit të drejtorit të Arsimit nga Haskuka, ka dalë nga koalicioni, duke deklaruar se do të jetë pjesë e opozitës.

Pesë ulëset sa ka Nisma në KK kanë ndryshuar dhe forcën politike në mes të shumicës (VV-së, LDK-së dhe partive të komunitetit turk  e boshnjak)  dhe të opozitës në Prizren (PDK-së, AAK-së dhe Nismës Socialdemokrate).

Seanca e KK-së do të jetë e veçantë, pasi ndër pikat më të rëndësishme të rendit të ditës janë: Shqyrtimi dhe miratimi i propozim-buxhetit për vitin 2020 dhe parashikimi i buxhetit për vitin 2021-2022, si dhe pikës 6-të, ku planifikohet votimi për hyrje në koncesion të pronës komunale, për të cilën së fundit është shkruar në medie elektronike, se kjo bëhet për përftime të një kompanie.

Sa i përket buxhetit,  opozita ka paralajmëruar se nuk do ta votojë atë. Pos PDK-së e AAK-së, një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe kryetari i degës së Nismës, Zafir Berisha.

“Buxheti është një kornizë e planifikuar që t’u shërbej klaneve elektorale, e aq më keq mbetjet e pushtetit lokal këtyre ditëve për shkak të votave janë treguar tejet injorant duke i matur me hapa edhe oborret në shkëmbim të votës”, tha për portalin “GazetaePrizrenit.net” ai.

Përfaqësues të saj, kanë thënë se opozita në Prizren është e gatshme ta votojë buxhetin, atëherë kur merr pjesë në hartimin e tij në politikat zhvillimore.

Mosvotimi i buxhetit do të paraqesë vështirësi për kryetarin e Komunës Mytaher Haskuka në zbatimin e projekteve. /GazetaePrizrenit.net/