Ministri Gashi: Rruga “Marin Barleti” në Prizren do të revitalizohet me investim mbi 2 milionë euro
Ministria e Kulturës ka thënë se projekti “Revitalizimi dhe Integrimi Socio-Ekonomik i komunitetit lokal në rrugën Marin Barleti në Prizren” është një projekt ambicioz dhe tepër i rëndësishëm për qytetin e Prizrenit, pasi që ngërthen në vete trajtimin e 14 ndërtesave të banimit të cilat fatkeqësisht nuk janë në gjendjen e dëshirueshme.
Ministri Kujtim Gashi tha se edhe përkundër faktit që zbatimi i këtij projekti paraqet një ngarkesë buxhetore për MKRS-në, ai do të zbatohet në përpikëri, në respektim të standardeve të larta profesionale dhe në zbatim të legjislacionit në fuqi.
Hartimi i projekti në fjalë “Revitalizimi dhe Integrimi Socio-Ekonomik i komunitetit lokal në rrugën Marin Barleti në Prizren” ka filluar që nga viti 2017 dhe është trajtuar ne mesin e disa prioriteteve tjera qe ka pasur ministria. Procesi i hartimit të projektit është koordinuar nga Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Prizren dhe organizata EC Ma Ndryshe. I njëjti është financuar nga MKRS-ja, në vlerë prej 50 mijë eurosh si dhe është mbështetur nga Zyra e BE-së në Kosovë, Ambasada Britanike në Prishtinë dhe komuna e Prizrenit.
Ministri Gashi ka thënë se ky projekt hap rrugët për investime mbi 2 milionë euro në këtë lagje të rëndësisë së veçantë për qytetin e Prizrenit. Me këtë rast ministri falënderoi institucionet për përkushtim dhe angazhimin maksimal si dhe të gjitha palët e involvuara, përfshire këtu dhe pronarët e ndërtesave të lagjes të cilët siç tha ministri treguan gatishmëri për t’u bërë palë në këtë proces tejet të ndërlikuar por shumë të rëndësishëm për të ardhmen e tyre por edhe të qytetit të Prizrenit.
“Rruga ‘Marin Barleti’ zë pjesën kyçe të Qendrës Historike të Prizrenit, ndaj dhe revitalizimi urban dhe shoqëror i tij do të ndikon në krijimin e kushteve optimale për ruajtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore dhe zhvillim të qëndrueshëm lokal në të gjithë Qendrën Historike të Prizrenit”, ka thënë ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi.