Njëra ndër betejat e famshme të UÇK-së kundër forcave serbe është ajo e Pashtrikut, në të cilën ra heroikisht Komandant Mujë Krasniqi së bashku me 36 luftëtarë, në një pritë nga forcat serbe, me 14 dhjetor 1998, afër kufirit Kosovë-Shqipëri, shkruan “Gazeta e Prizrenit”.
Portali sjell lajmin e shumëpritur se tashmë tek vendi i luftimeve mund të shkohet edhe me veturë, pasi është asfaltuar rruga nga fshati Planejë e Hasit, deri në vendin e rënies së Heronjve të UÇK-së, tek “Te Likenet e Hasit” mbi fshatrat Kushnin e Lugishtë.
Nga fotot që sjell “Gazeta e Prizrenit” duket se është rregulluar edhe hapësira para Monumentit, në të cilin janë shkruar emrat e atyre, që ranë heroikisht, duke u përjetësuar në altarin e lirisë.
Ky vend i historisë krenare, të luftëtarëve të cilët po sillnin armatim nga Shqipëria për në Kosovë, tashmë pritet të vizitohet nga shqiptarë të viseve të ndryshme si dhe të huaj. Vizita këtu duhet të jetë edhe në progamet shkollore!
Aty shihen edhe gjurmë nga vendqëndrimi i forcave serbe, prej nga kishin qëlluar, në një betejë legjendare, duke përdorur armatim të ndryshëm si murtaja, minahedhës dhe automatikë.
Përreth hapësirës së Monumentit janë vënë ulëse, ndërsa qytetarët mund ta shfrytëzojnë për piknik edhe mjedisin përreth, në një ajër të pastër, në lartësinë mbidetare mbi 1.200 m, përcjell “Gazeta e Prizrenit”.
Po ashtu një atraksion në vete përbën edhe rruga që gjarpëron nëpër një mjedis piktoresk./Gazetae Prizrenit.net/