18-04-2024

“Mullini i Pintollit” shfrytëzohet jashtëligjshëm për biznes në Prizren

Dikur aty kishin ngrënë e kishin pirë luftëtarët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. I njohur në Prizren si “Mullini i Pintollit”, sot aty ndodhet një restorant në freskun e lagjes “Marash”.

Me fasadën e bardhë, dritaret e mëdha të xhamta e tjegullat e veçanta, ky mulli në pamje të parë duket sikur është vazhdimësi e arkitekturës së njësojtë e karakteristike të Prizrenit. Por përtej këtij idili, ky mulli, ku tani ushtrohet një veprimtari afariste, po shfrytëzohet pa një kontratë valide. Shfrytëzuesi i këtij mulliri, i vlerësuar zyrtarisht si objekt i trashëgimisë kulturore, vazhdon sot e gjithë ditën të paguajë qira vjetore në vlerë prej 2000 eurosh pa pasur kontratë valide.

Në raportin e fundit të Zyrës Kombëtare të Auditimit për Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, një nga gjetjet e auditorëve kishte apostrofuar edhe rastin e “Mullinit të Pintollit” që shfrytëzohet pa kontratë valide dhe shpallje publike. Duke përkujtuar nenin 6 të Ligjit për trashëgimi kulturore që rregullon përdorimin me qëllim përfitimi ekonomik të objekteve të trashëgimisë kulturore, auditorët kanë kritikuar MKRS-në që nuk ka bërë shpallje publike për dhënien në shfrytëzim të aseteve të trashëgimisë kulturore në përputhje me Ligjin për trashëgimi. Sipas gjetjeve të Raportit, shfrytëzuesi i këtij objekti, tani restorant, ka bërë vazhdimisht përpjekje për nënshkrimin e një kontrate mbi qiranë, por një gjë e tillë nuk është arritur deri më tani.

Rexhep Ahmetaj, ushtrues detyre i drejtorit të Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Prizren, ka thënë se ky problem është pasojë e mungesës së ligjit për koncesion ose dhënie me qira të objekteve të trashëgimisë kulturore.(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).

Asnjë koment

Comments are closed.