Mungesa e të dëmtuarit ka bërë që të shtyhet seanca për vjedhje të rëndë në Suharekë

Mungesa e të dëmtuarit-dëshmitarit Imer Berisha ka bërë që të dështojë vazhdimi i shqyrtimit gjyqësor, të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Prizren, dega në Suharekë, për rastin ndaj të akuzuarit për vjedhje e rëndë në tentativë, Berat Memaj.

Të pranishëm në seancë kanë qenë prokurori Shahadin Destani, i akuzuari Berat Memaj si dhe mbrojtësi i tij avokati Miftar Qelaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

foto (2)

Gjyqtari i çështjes Qemail Suka konstatoi se në bazë të shkresave të lëndës, shihet se i dëmtuari- dëshmitari, Imer Berisha gjendet jashtë vendit. Ndaj të njëjtit gjykata ka lëshuar urdhërarrest, mirëpo deri më tani Policia e Kosovës gjykatën nuk e ka njoftuar asgjë.

Andaj, gjyqtari seancën e radhës e ka shtyrë në kohë të pacaktuar dhe ndaj dëshmitarit Berisha ka lëshuar urdhërarrest.

Ndryshe, sipas aktakuzës të dorëzuar në gjykatë më 28 shtator 2012, Nazim Reka, Avni Qarri dhe Berat Memaj akuzohen së më 19 shtator të vitit 2012, rreth orës 22:00 në Suharekë, në rrugën “Brigada 123”, në shtëpinë familjare pronë e të dëmtuarit Imer Berisha, në bashkëveprim, tentojnë t’ia marrin pasurinë e luajtshme  tjetrit me qëllim përvetësimit të kundërligjshëm për vete apo për personin tjetër.

Të akuzuarit thyejnë me forcë ndërtesat e mbyllura, në atë mënyrë që e thyejnë derën e ballkonit të shtëpisë, hyjnë brenda, thyejnë derën e një dhome të shtëpisë, e demolojnë shtëpinë, në tavanin e shtëpisë marrin një moto-sharrë dhe një komplet çelsash dhe duke zbritur për në katin e parë të shtëpisë, diktohen nga dëshmitari Faik Berisha, ashtu që i pandehuri Nazim Reka zihet në flagrancë brenda në banjon e shtëpisë, ndërsa të pandehurit Avni Qarri dhe Berat Memaj ikin nga vend i ngjarjes, ku më pas zihen nga ana e Policisë së Kosovës.

Lexo edhe:

Vidhet një veturë në Zhur, gjendet e djegur në Hoçë të Prizrenit

Andaj, me këto veprime të lartcekurit në bashkëveprim kanë kryer veprën penale të “vjedhjes së rëndë” në tentativë, nga neni 253 paragrafi 1 nenparagrafi 1 lidhur me nenin 20 dhe 23 të KPK-së.

Të akuzuarit Nazim Reka dhe Avni Qarri, në procedurat e mëparshme kanë pranuar fajësinë, dhe ndaj tyre është vequar procedura penale. /BetimipërDrejtësi