23-11-2024

Mungon pala e dëmtuar, shtyhet gjykimi ndaj të akuzuarve për vjedhje të rëndë

Në mungesë të përfaqësueses së të dëmtuarës, kompanisë “Bechtel-Enka”,  Behare Jashanica, është shtyrë seanca gjyqësore e paraparë të mbahet të hënën, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, ndaj të akuzuarve për vjedhje të rëndë, Besnik Xhaha, Adnan Mitrovica dhe Besim Krasniqi.

Gjyqtari i çështjes, Njazi Morina, deklaroi se përkundër faktit se përfaqësuesja e të dëmtuarës, kompanisë “Bechtel-Enka”, Behare Jashanica ka qenë e njoftuar nga procesverbali i seancës së kaluar, më 28 qershor 2019, e njëjta nuk prezanton.

Ndërsa, në gjykatë prezent ishte edhe dëshmitari i propozuar nga prokuroria, Haradin Buqaj, i cili ishte paraparë që të dëshmojë në seancën e së hënës.

Seanca e radhës për këtë rast u caktua të mbahet më 13 nëntor 2019, në ora 10:00, ku me ftesë të rregullt do të ftohet, përfaqësuesja e kompanisë “Bechtel Enka”.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, të ngritur më 19 dhjetor 2014, të akuzuarit Besnik Haxha, Adnan Mitrovica dhe Besim Krasniqi, po akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “vjedhje e rëndë”, nga neni 253, paragraf 1, pika 1, lidhur me nenin 23, të KPPK-së.

Në aktin akuzues thuhet se të akuzuarit më 19 shtator 2012, rreth orës 03:30, në fshatin Lladroc, Komuna e Malishevës, me qëllim të përfitimit pasuror të kundërligjshëm, kanë shkuar në vend-punishten e të dëmtuarës, kompanisë “Bechtel-Enka”, duke hapur me forcë kontejnerin afër trasesë së autostradës, dhe kanë vjedhur një “hillt”, dhe 10 teh sharre “diamant”, të vlerës 3.850 euro, dhe largohen në drejtim të panjohur. /Betimipërdrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.