20-04-2024

Mungon prokurori, për të gjashtën herë shtyhet gjykimi ndaj të akuzuarve për mashtrim me viza pune

Për të gjashtën herë me radhë, ka dështuar të mbahet seanca gjyqësore në rastin e të akuzuarve për shpëlarje parash dhe shmangie nga tatimi, Flamur Hoxha dhe Besim Rexhaj.

Shkak i mos mbajtjes së kësaj seance ishte mungesa e prokurorit të rastit, Afrim Shefkiu, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me mungesën e tij, kryetari i trupit gjykues, Xheladin Osmani, tha se prokurori me shkresë e ka njoftuar gjykatën se për shkaqe shëndetësore nuk mund të jetë prezent në seancë.

Po ashtu, gjykatësi Osmani konstatoi se prezent në sallë të gjykimit nuk është  as inspektori i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Fadil Rivuqi, pasi që paraprakisht të njëjtin e kishte  njoftuar që seanca nuk do të mbahet.

Në këto rrethana, gjykatësi Osmani njoftoi se seanca e radhës caktohet për 29 prill 2021, në ora 10:00.

Me aktgjykimin e shpallur nga Gjykata Themelore në Prizren, më 9 janar 2020, ish-drejtori ekzekutiv i shkollës “DBBS” në Prizren, Flamur Hoxha, ishte dënuar me gjashtë vjet burg dhe 21 mijë euro gjobë, pasi ishte shpallur fajtor se ka mashtruar qytetarët për viza pune në Gjermani, ndërsa i akuzuari tjetër, Besim Rexhaj, ishte dënuar me katër vjet burgim dhe me 12 mijë euro gjobë.

Ndaj të akuzuarve ishte shpallur edhe dënim plotësues, ku Flamur hoxhës i konfiskohet një shtëpi, një veturë “BMW X5”, si dhe një “Audi”, kurse të akuzuarit Rexhaj i konfiskohet një banesë me garazh, si dhe një veturë e tipit “Polo”.

Po ashtu, për këtë rast ishte dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht Veprim Rexhepi, i cili akuzohej se me anë të falsifikimit ka nënshkruar rreth 400 kontrata pune për në shtetin e Gjermanisë, pa qenë i autorizuar fare nga personat përgjegjës, në emër të të cilëve janë lëshuar këto kontrata, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mirëpo, Gjykata e Apelit e ka kthyer rastin në rigjykim vetëm ndaj Flamur Hoxhës dhe Besim Rexhajt, të cilët kishin parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit.

Ky rast zhvillohet në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Speciale (PSRK), të ngritur më 20 gusht 2018, me të cilën Flamur Hoxha dhe Besim Rexhaj akuzohen se në periudhën 2016-2017, megjithëse e kanë ditur se të ardhurat burojnë nga aktivitete kriminale, kanë pranuar para nga qindra persona të dëmtuar, saktësisht 489 persona, me arsyetimin se do t’i punësojnë në Gjermani.

Sipas aktakuzës, Hoxha dhe Rexhaj, nga të dëmtuarit e njëjtë i kanë marrë nga 2500 – 3000 euro, të cilët fare nuk i kanë dërguar në Gjermani, duke fshehur fondet në fjalë e më pas të njëjtat fonde duke i transferuar tek persona tjerë, me këto veprime kanë përvetësuar shumën prej 1.220.175.00 euro, nga të cilat kanë bërë shpëlarjen e parave në shumën prej 1.068.775.00 euro.

Me këtë, në vazhdimësi dhe në bashkëkryerje, akuzohen se kanë kryer veprën penale “shpëlarje parash”, nga neni 308 i Kodit Penal të RKS, si dhe neni 32, paragrafi 2. nën paragrafi 2.1 dhe 2.2 i Ligjit mbi Parandalimin e Shpëlarjes së Parave dhe Financimin e Terrorizmit, lidhur me nenin 81 dhe 31 të Kodit Penal të RKS.

Sipas aktakuzës, të njëjtit akuzohen edhe për veprën penale të “mashtrimit”, nga neni 335, atë të “falsifikimit të dokumenteve” nga neni 399, si dhe “shmangie nga tatimi” nga neni 313 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.