Muzika e Sedat Kuçit vlerësohet si thesar i mirëfilltë i këngës shqipe
Muzikolog dhe doajen të këngës shqipe, e kanë vlerësuar si një thesar të mirëfilltë muzikën e këngëtarit, Sedat Kuçi, njëherësh ish profesor të Universitetit të Prishtinë, që mbrëmjen e të enjtes promovoi audio & video albumin e tij “ Prizreni në këngë të zgjedhura”, transmeton “gazetaeprizrenit.net”.
Tingujt e këngës së mirëfilltë shqipe dhe hapat e këngëtarit Kuçi, nëpër Prizrenin e bukur e historik, përcjellin emocione jo vetëm te adhuruesit e zhanrit popullor.
Muzikologu, Esat Ruka, ndër të tjera vlerësoi këngën e Kuçit si tejet të rëndësishëm dhe në shërbim të pasurimit të vlerave të muzikës së mirëfilltë shqiptare. “Ai ka sjell këngën e standardit të gjeneratës së tij. Te repertori i tij gjen këngët lirike mbarëshqiptare, duke ruajtur origjinalitetin”, tha Ruka.
Doajeni i muzikës prizrenase, Xheladin Kastrati, ish profesori i Sedat Kuçit, ndërkaq tregoi para të pranishmëve për hapat e parë të nxënësit të dikurshëm, në lëmin e muzikës, duke thënë se talentin dhe punën e ka trashëguar nga të afërm të tij. “Si nxënës i normales, që në atë kohë ka qenë sikur Normalja e Elbasanit, Sedati e përfaqësonte shkollën nëpër manifestime kulturore, ndërsa ndonjë merrte edhe violinën time”, ka thënë ai.
Përpos miqve e bashkëpunëtorëve të këngëtarit, si dhe qytetarëve të shumtë, pjesë e këtij promovimi ishin edhe personalitete të shquara të kulturës, përfshirë edhe ata nga Shqipëria.
Kompozitori, Valton Beqiri, përgëzoi për albumin, duke shtuar se këngëtari Sedat Kuçi, i takon atyre njerëzve që duke kultivuar muzikë të mirëfilltë shqiptare, po ruan vlerat e mirëfillta të kulturës sonë muzikore. Në këtë konteskt ai kujtoi disa vargje të dikurshme të grupit Corona: “E si mund të harrohet kënga e vjetër, e si mund të plagoset nga kënga tjetër”.
Përkundër moshës së shtyrë, për ta nderuar këtë aktivitet të rrallë muzikor, kishte ardhur edhe doajeni i muzikës popullore, Ismet Peja që tha se po përjetonte emocione, derisa këngëtarin Kuçi e quajti thesar të muzikës së mirëfilltë qytetare e popullore mbarëshqiptare.
Këngëtari Kuçi, falënderoi të gjithë pjesëmarrësit dhe ata që e ndihmuan dhe bashkëpunuan gjatë karrierës së tij, duke vlerësuar lartë për këtë anëtarë të shumtë të SHKA “ Agimi”. “Për t’u marrë me art e muzikë shpesh më është dashur ta lë anash familjen dhe shoqërinë”, tha ai, derisa për sakrificiën në shkollimin e të gjithë fëmijëve falënderoi babain e tij, që në një moshë të pleqësisë së thellë po merrte pjesë në ceremoni.
Në këtë ngjarje të rrallë kulturore, janë promovuar 12 këngë nga albumi, ndërsa Kuçi ka interpretuar disa sosh drejtpërdrejt në skenën e kino “Lumbardhit”./gazetaeprizrenit.net/