23-11-2024

Ndalja e vizitave tek familjarët, mision i pamundur për kosovarët në mes të krizës së coronavirusit

Qysh kur u paraqitën rastet e para me koronavirus në Kosovë, Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia në kuadër të masave mbrojtëse ua ka dhënë qytetarëve edhe një këshillë që në Kosovë është vështirë të respektohet.

“Mos pranoni vizita nga të afërmit dhe miqtë në shtëpi”. Ky apel u përsërit edhe disa herë nga mjekë e infektologë në Kosovë.

Megjithatë, kur kemi hyrë në javën e tretë që kur janë paraqitur rastet e para me koronavirus në Kosovë, ky apel me sa duket për kosovarët është i vështirë të realizohet. Kosova tashmë shënon 106 raste të të infektuarve me Coronavirus, shumica prej tyre raste kontakti, shkruan Reporteri.net.

12 raste të reja me Coronavirus u konfirmuan mbrëmë, gjersa Fushë Kosova, Mitrovica dhe Kamenica janë tre komunat që iu shtuan hartës së të infektuarve me COVID-19, ku mbrëmë u konfirmuan rastet e para.

Derisa Komuna e Fushë Kosovës dhe vetë kryetari Burim Berisha disa herë në media demantuan se ka ndonjë të prekur me koronavirus në këtë komunë, në orët e mbrëmjes Komuna doli me një njoftim ku konfirmoi se bëhet fjalë për tri raste nga fshati Miradi e Poshtme.

Bëhet fjalë për tre anëtarë të kësaj familje, dy prej të cilëve fëmijë. Njëri nga anëtarët e kësaj familje në Klan Kosova ka folur për gjendjen shëndetësore të anëtarëve të familjes. Ai ka thënë se mund të jenë të infektuar nga  motra që jeton në Prishtinë, e cila para disa ditësh kishte dalë pozitive me koronavirus, bashkë me burrin e saj.  Ai ka rrëfyer se kishte qenë për vizitë tek motra, por që vetë kishte rezultuar negativ.

“Para dy javëve kam qenë në vizitë tek motra. Unë kam dalë negativ. Djemtë pozitivë. Djemtë nuk kanë pasur kontakt me ata” Ai tha se fëmijët e tij nuk kanë simptoma të theksuara.

Kujtojmë se Qeveria ka ndërmarrë një sërë masash në kuadër të parandalimit të përhapjes së pandemisë që po merr jetë në mbarë botën. Deri më tani në Kosovë një person ka vdekur nga koronavirusi, gjersa një tjetër është shëruar.

Asnjë koment

Comments are closed.