23-11-2024

Ndodh edhe kjo: Lirisë i del përforcimi këngëtar!

Martins Aristegui Maickol Pio u prezantua si një përforcim i madh nga Liria. Por, interneti më shumë e paraqet uruguaianin si këngëtar sesa si futbollist.
Liria bëri “boom” në afatin kalimtar të janarit duke i sjell në Prizren gjashtë futbollistë të huaj si përforcime për sezonin pranveror i cili do të fillojë pas pak javësh.

Mirëpo, njëri prej këtyre lojtarëve të ardhur në stadiumin “Përparim Thaçi” ka befasuar pasi po rezulton me dy profesione. Fjala është për Martins Aristegui Maickol Pio, i cili krahas futbollit me profesion është edhe këngëtar, raporton “Gazeta Express”.

Martins Aristegui Maickol Pio dhe pesë lojtarët tjerë të huaj u prezantuan para pak ditësh nga Liria, ku i ka sjell trajneri i saj italian, Vincenzo Alberto Annese.

Madje, kur kishte ardhur në Prizren Martins Aristegui Maickol Pio ishte prezantuar me fjalë të mëdha nga Liria dhe trajneri i saj italian. Klubi bardh e zi kishte treguar se Martins Aristegui Maickol Pio ka origjinë nga Uruguai dhe luan si mesfushor i majtë, ndërsa së fundmi kishte luajtur në Liban për ekipin Al-Nabi Sheet Club.

Edhe trajneri italian i klubit kishte folur fjalë të mëdha për këto ardhje përfshirë uruguaianin. “Përvoja e tyre e madhe, prej nga vijnë, do t’i ndihmojë ekipit”, kishte thënë për ueb faqen e klubit, trajneri Vincenzo Alberto Annese.

Mirëpo, nuk vonoi shumë dhe Martins Aristegui Maickol Pio rezultoi të jetë këngëtar krahas futbollistit.

Gazeta Express shkruan se nëse kërkon video të tij në “Youtube” për ta parë si futbollisti, në këtë kanal të njohur në internet më shumë mund të gjesh videoklipe muzikore të tij sesa video tjera që kanë të bëjnë me futbollin.

Përpos Martins Aristegui Maickol Pio, Liria ka nënshkruar kontrata edhe me Norales Nunez Roby Alberto,Jinenez Vivas Luis Manuel, Ramirez Valdivia Guillermo Abel, Riascos Jhonny, Nieves Vargas Armando Jose.

Riascos Jhonny, Nieves Vargas Armando Jose.

Liria ka shkuar për ta kryer një fazë përgatitore në Shqipëri. Mbetet të shihet nëse Martins Aristegui Maickol Pio do t’ua këndojë ndonjë këngë të tij shokëve të ekipit të ri gjatë qëndrimit të përbashkët në Shqipëri.

Liria po kalon nëpër një kampionat të rrezikshëm pasi është në zonën e barazhit me rrezik për të rënë nga Ipko Superliga./GazetaExpress

 

Asnjë koment

Comments are closed.