Një konkurrencë më të madhe për të studiuar në Universitetin publik “Ukshin Hoti” të Prizrenit ka pasur në Fakultetin e Edukimit dhe atë të Filologjisë, transmeton “GazetaePrizrenit.net”.
Tashmë janë mbajtur provimet pranuese për regjistrimin e studentëve të rinj në vitin akademik 2018/2019, në afatin e parë të studimeve themelore-Bachelor, ku pritet të regjistrohen 2.080 studentë, prej tyre 150 me korrespondencë.
Prorektori i UPZ-së, Prof. Dr. Kadri Kryeziu ka njoftuar se në afatin e parë kanë aplikuar rreth 1.600 studentë, ndërsa interesim më të madh ka pasur në profilet Edukim fillor dhe parashkollor si dhe në ato të filologjisë.
“410 studentë kanë konkurruar për 100 vende në Fakultetin e Edukimit, derisa në Gjuhën gjermane dhe angleze për 100 vende kanë aplikuar 210 studentë”, tha ai,
Në Fakultetin juridik ndërkaq ka pasur 180 aplikacione për 100 vende.
Kryeziu ka njoftuar se do të ketë edhe një afat të dytë, në shtator për të gjithë ata që nuk do të arrijnë pikët e nevojshme për regjistrim në afatin e parë, por këtu përjashtohen njësitë akademike, në të cilat janë plotësuar vendet e parapara në afatin e parë, si në Edukim dhe Filologjik, përcjell “GazetaePrizrenit.net”.
Shpallja e rezultateve preliminare do të bëhet deri më datën 23 korrik në orën 15:00, në faqen zyrtare të universitetit, ndërsa rezultatet përfundimtare parashihet të shpallen deri më 27. 07. 2018.
Në UPZ-së konkursi është shpallur për 15 programe studimore, në kuadër të fakulteteve, të cilat funksionojnë në këtë universitet.
UPZ do të rezervojë 12 % nga numri total i studentëve, për komunitetet pakicë, të cilat parashihet të shpërndahen në mënyrë proporcionale, të cilat do të shpërndahen sipas numrit të përgjithshëm të studenteve, për secilin fakultet veç e veç. Në këtë universitet, pos shqipes, gjuhët studimore janë edhe ato në boshnjakisht dhe turqisht.
Sipas konkursit të shpallur, në UPZ po ashtu do të pranohen edhe studentë nga shtete të tjera me automatizëm në bazë të kuotave të përcaktuara nga MASHT, deri në 3 % nga numri i përgjithshëm i studentëve.
Në vitin 2018, numri i studentëve në UPZ është rreth 17.000 studentë. Momentalisht Universiteti ofron studime në ciklin Bachelor dhe Master. /GazetaePrizrenit.net/