24-11-2024

Në Gjonaj të Hasit hajnat vjedhin tri shtëpi

Hajnat janë rikthyer sërish në fshatin Gjonaj të Hasit, ndër më të mëdhenjtë në komunën e Prizrenit.

Tri shtëpi në lagjen poshtë në fshat janë vizituar nga hajdutët, që prej disa kohe nuk po e lënë rahat, këtë pjesë, e cila më herët është ankuar tek organet e rendit, duke kërkuar më tepër siguri.

Njëri nga banorët që preferoi të prezantohet si I. Jahaj, tha se hajnat që kishin hyrë forcërisht nëpërmes dritares, kur askush nuk ishte në shtëpi, vodhën një kuti të hekurt bashkë me dy zinxhir të argjend si dhe 1.500 euro.

“Po ashtu kanë pësuar edhe dy shtëpi fqinje nga familja Hodaj”, tregon për “GazetaePrizrenit.net” ai.

Rastin e ka konfirmuar edhe policia në Prizren.

Zëdhënësi, Shaban Osmanollaj ka thënë se sipas deklaratave të viktimave janë vjedhur disa gjësende, ndërsa hetuesit dhe njësiti i forenzikës kanë dalë në vendin e ngjarjes.

“Rastet janë duke u hetuar si vjedhje të rënda. Në momentin kur dyshohet se janë kryer vjedhjet në këto shtëpi nuk ka pasur asnjë familjar brenda,  pasi shumica jetojnë jashtë vendit ose në ato momente nuk kanë qëlluar aty”, tha ai për “Gazeta e Prizrenit”.

Sipas togerit Osmanollaj, policia ka shtuar patrullimet  këtë zonë dhe në rajonin e Hasit në përgjithësi.

Për shkak të disa rasteve të vjedhjeve nëpër shtëpi, muaj më parë banorët e Gjonajve kërkuan edhe mundësinë e hapjes së një zyre apo edhe stacioni policor. /GazetaePrizrenit.net/

Asnjë koment

Comments are closed.