Në Panorc të Malishevës premtohet shkollë e re, gjatë kremtimit të ditës së shkollës
Shkolla fillore dhe e mesme e ulët “Asim Vokshi” në Panorc, sot krahas shënimit të ditës së shkollës, nxënësit dhe mësimdhënësit e saj, i janë gëzuar edhe lajmit për ndërtimin e objektit të ri të shkollës së tyre, pasi është premtuar ndërtimi i objektit të ri.
Këtë premtim e ka bërë nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, gjatë fjalës me rastin e shënimit të ditës së shkollës.
Në një njoftim të komunës, thuhet se komuna është e përkushtuar në krijimin e kushteve sa më të mira në shkolla, pasi qëllim është rritja e cilësisë në arsim.
“Për t’i arritur këto qëllime, ne jemi të angazhuar maksimalisht në krijimin e kushteve në shkolla tona, me rregullimin e infrastrukturës shkollore, prandaj ne premtojmë se jemi përgatitur dhe shumë shpejt do të fillojmë edhe me ndërtimin e objektit të ri për shkollën tuaj”, ka thënë nënkryetari Berisha, duke ju premtuar ndërtimin e objektit të ri për shkollën e fshatit Panorc.
Drejtori i shkollës në Panorc, Bali Rudi, duke prezantuar një historik të mësimit dhe shkollës ka thënë se mësimet e para kanë filluar t’i marrin në kullat e Panorcit, të cilat ishin shndërruar në shkolla, në vitet 1945-1946, kurse në vitin 1968 është ndërtuar objekti i parë i shkollës.
Sipas tij, më 1981 kjo shkollë është pavarësuar dhe sot ka 330 nxënës, të cilët kanë treguar rezultate të kënaqshme, përfshirë edhe aktivitetet e garave të ndryshme shkollore, në nivel komunal.