26-04-2024

Në urimin për Bajram, Prizreni vlerësohet shembull unik i bashkëjetesës ndërfetare dhe ndëretnike

Këshilli i Bashkësisë Islame (KBI) të Prizrenit, pastaj zyrtarët komunal dhe subjektet politike të Prizrenit, kanë uruar qytetarët e besimtarët islam për festën e Bajramit.

Në mesazhin e KBI-së, ndër tjera Prizreni vlerësohet si shembull unik i bashkëjetesës ndërfetare dhe ndëretnike; shembull i zhvillimit të besimit dhe respektit të ndërsjellë, transmeton “GazetaePrizrenit.net”.

“Edhe sot, e përgjithmonë, kujtojmë të kaluarën tonë të lavdishme, përkujtojmë sakrificën e dëshmorëve dhe qytetarëve të Prizrenit për lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin e Kosovës. Në emër të Këshillit të Bashkësisë Islame të Prizrenit, të gjithë besimtarëve islamë të Komunës tonë, t’ua urojmë këtë festë të madhe, duke e lutur Allahun e Gjithëfuqishëm, që mëshira dhe ndihma e Tij të jetë gjithmonë me ne”, thuhet ndër tjera në urim.

Në urimin e kryetarit të Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, të bërë në katër gjuhë, përfshirë edhe atë angleze, urohet për paqe e dashni.

Po ashtu për sa më shumë mirëqenie e harmoni në familje ka uruar edhe kryetari i degës së partisë më të madhe në opozitë, Shaqir Totaj.

Prizrenasve të besimit islam, Bajramin ua urojnë edhe subjektet politike në Prizren: PDK, Vetëvendosje, LDK, AAK, Nisma Socialdemokrate dhe partitë tjera.

Me këtë rast uron edhe redaksia e portalit “GazetaePrizrenit.net”.

Me fat!

Asnjë koment

Comments are closed.