07-10-2024

Të bësh letërsi në diktaturë, Kadare në faqen e parë të “Le Monde”

“Le Monde” – Ismail Kadare në faqen e parë – flet për të bërit letërsi në kohën e diktaturës.

Në rubrikën dedikuar “Shkrimtarëve të mëdhenj”, “Le Monde”, i ka kushtuar vëmendje të veçantë kolosit të penës shqiptare, Ismail Kadaresë.

Mes një cikli me pesë intervista, Kadare është renditur në vendin e katërt me rrëfimin e tij të titulluar: “Të jetoje në diktaturë, për mua do të thoshte – të bëja letërsi”.

Gjatë muajit maj, gazetarja Florence Noiville ka zhvilluar një vizitë në Shqipëri, gjatë së cilës ka intervistuar Ismail Kadarenë në shtëpinë e tij në Tiranë.

“Në një botë ku algoritmet duan të bëjnë ligjin ne po bëjmë zgjedhjen e subjektives”, shkruan Noiville.

Intervista e Kadaresë për “Le Monde”:

Çfarë ndjetë kur shtëpia juaj studio u inaugurua në Tiranë?

E shoh veten përballë oxhakut. Çuditërisht me ndjenjën se jam një “shkrimtar i lirë”. Gruaja ime Helena punonte në një shtëpi botuese. Çdo mëngjes unë rrija vetëm dhe shkruaja. A ka gjë më të mrekullueshme? Disa nga librat e mi ishin të ndaluar, por unë shkruaja pak a shumë atë që doja. Disa herë e ndjeja që një frazë ishte e mirë. Ndonëse mund të dukej pa logjikë, unë e ndjeja bukurinë e saj të fshehur. E provoja fizikisht. Për mua çdo lloj ngushëllimi ka qenë brenda letërsisë. Dhe në misterin e të qenit i kuptuar, ndonëse prej pak vetëve.

Mendoni se keni pasur fat?

E njihni ju proverbin latin “Vivere militare est”? Eh.. dhe nëse të jetosh është si të luftosh duhet të jesh i lumtur nëse nuk je vrarë (qesh). Për mua të jetosh do të thotë të bësh letërsi. Të mos e bëja dot këtë detyrë do të ish njësoj sikur të mos jetoja. Unë arrita ta bëj dhe nuk u ndalova nga asgjë. Atëherë po unë kam qenë me fat. Disa herë më thonë në Shqipëri: “ah sikur të kishe jetuar në një vend të lirë”. Po kush e di? Kush mund ta dijë nëse gjithçka mund të kish qenë ndryshe?

Sot, kur i ktheheni veprës suaj, cila është krenaria më e madhe?

Unë shkrova për dhjetëvjeçarë të tërë nën diktaturën më gjakatare të Europës së pasluftës. Sot, vite më pas letërsia ime është e njëjtë. Ajo nuk ka ndryshuar. Nëse ju nuk e shikoni datën në fund të një vepre, ju nuk e kuptoni kur është shkruar ajo. Në 2017 për shembull unë u dominova në Britaninë e Madhe për çmimin Man Booker International me “Kamarja e turpit”, një tekst i shkruar në 1978 dhe dyzet vite më pas për lumturinë time juria gjykoi se leximi i saj është aktual dhe i natyrshëm. Për këtë jam i lumtur.

 

Asnjë koment

Comments are closed.