24-11-2024

Në Zym të Hasit mbahet manifestimi tradicional “Takimet e Gjeçovit 2022″

Në Zym të Hasit, sot është mbajtur edicioni i 51-të “Takimet e Gjeçovit”, manifestim tradicional letrar, kulturor e shkencor, me pjesëmarrës nga të gjitha hapësirat e kombit dhe diaspora shqiptare. Pjesë e këtij manifestimi që organizohet nga klubi letrar “ Shtjefën Gjeçovi”, ishin zyrtarë të lartë të institucioneve shtetërore të vendit, kryetari i Prizrenit me bashkëpunëtorë dhe pjesëmarrës të shumtë.

Kryetari i KL “ Shtjefën Gjeçovi” Ndue Kajtazi, tha se kjo ngjarje tradicionale vazhdon të ruaj promovimin e vlerave të pastërta kombëtare përmes aktiviteteve të ndryshme, cili duke iu dëshiruar mirëseradhje mysafirëve i shpalli të hapura këto takime. Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, në një fjalë rasti, tha se qeveria e Kosovës i qëndron krah të gjithë atyre që punojnë me përkushtim për të ruajtuar traditën, për të cilën gjë shquhet zona e Hasit dhe Zymi në veçanti.

Ndërkaq, kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, e vlerësoi tejet të rëndësishëm këtë manifestim, i cili shpalos vlerat fisnike të popullit tonë e në veçanti hasjanëve, siç ishte Shtjefën Gjeçovi. Ndërsa, deputetja shqiptare në Parlamentin e Kroacisë, Ermira Lekaj- Përlaskaj, tha se shqiptarët që nga lashtësia shquhen për bujari, ndërsa vendlindjen e prindërve të saj ku mbahet ky manifestim, e quajti djep të kulturës sonë.

Pas fjalimeve, janë mbajtur edhe kumtesa shkencore me temë “ Miku dhe mikpritja”, recitime nga krijues letrar, ndërsa është shfaqur edhe një program i pasur artistik. Ndryshe, ky manifestim ka filluar ditën e djeshme me “ Festivalin e bukës”./tv prizreni

Asnjë koment

Comments are closed.