26-04-2024

Nesër në Podgoricë nënshkruhet marrëveshja për heqjen e sigurimit kufitar me Malin e Zi

Drejtori Ekzekutiv i Byrosë Kosovare të Sigurimit z. Sami Mazreku së bashku me Drejtorin Ekzekutiv të Shoqatës – Byrosë Nacionale të Siguruesve në Malin e Zi Boris Saban, nesër në Podgoricë do ta nënshkruajnë marrëveshjen për njohjen reciproke të certifikate të sigurimit për mbulimin e përgjegjësisë  në shkaktimin e dëmeve ndaj palëve të treta në territoret e ndërsjella, në Republikën e Kosovës dhe Malin e Zi.

Njoftimi i plotë:

Ju njoftojmë se nesër me datë 25.06.2021 në ora 14:00 në Podgoricë, Mali i Zi, drejtori Ekzekutiv i Byrosë Kosovare të Sigurimit z. Sami Mazreku do të nënshkruajë Memorandumin e Mirëkuptimit me Drejtorin Ekzekutiv të Shoqatës – Byrosë Nacionale të Siguruesve në Malin e Zi z. Boris Saban, për njohjen reciproke të certifikate të sigurimit për mbulimin e përgjegjësisë  në shkaktimin e dëmeve ndaj palëve të treta në territoret e ndërsjella, në Republikën e Kosovës dhe Malin e Zi.

Me nënshkrimin e MoU-së në fjalë, drejtuesit e mjeteve motorike me targë të regjistrimit të Malit të Zi gjatë hyrjes në Kosovë do të prezantojnë Kartonin e Gjelbër valid, ndërsa në anën tjetër drejtuesit e mjeteve motorike me targë të regjistrimit të Kosovës gjatë hyrjes në Malin e Zi do të prezantojnë certifikatën e sigurimit TPL + valide, e cila aplikohet edhe në MoU-të me Maqedoninë dhe Serbinë.

Më tutje, përmes këtij memorandumi të nënshkruar ndërmjet dy Byrove në cilësinë e përfaqësueseve të industrive të sigurimit, synohet të arrihet lëvizja e lirë e qytetarëve duke mundësuar rritjen e potencialit të zhvillimit ekonomik dhe rritjen e qarkullimit të mallrave e shërbimeve, duke siguruar çdo herë mbrojtjen e të drejtave të policëmbajtësve dhe palëve të treta të dëmtuara, në kuadër të zbatimit të Rregullores së Brendshme të Këshillit të Byrove dhe legjislacionit të secilit vend.

Asnjë koment

Comments are closed.