29-11-2022

Ngjallen shpresat: S’ka kushte të reja për heqjen e vizave

Është raportuar se çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën do të jetë në rend të ditës në takimin e grupit punues të Këshillit Evropian më 13 tetor.

Në një përgjigje për lajmi.net, një zyrtar i Komisionit Evropian nuk ka konfirmuar se liberalizimi i vizave do të jetë në rend të ditës më 13 tetor, por ka deklaruar se Bashkimi Evropian vazhdon të mbështes liberalizimin e vizave për Kosovën, por se tashmë kjo çështje është në duart e shteteve anëtare ta përkrahin ose jo.

“Çfarë mund të themi për këtë çështje është se Komisioni e konfirmoi në korrik të vitit 2018 se Kosova i përmbushi të gjitha standardet e Udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave. Vlerësimi ynë qëndron ende. Pas votimit të favorshëm të Parlamentit Evropian në vitin 2019, tani i takon shteteve anëtare të Bashkimit Evropian që ta çojnë përpara këtë çështje. Ne i inkurajojmë ata që të vazhdojnë me heqjen e vizave për Kosovën”, ka deklaruar zyrtari i Komisionit Evropian.

Nga BE-ja kanë thënë se rregullisht ofrojnë përmbledhje të performancës së Kosovës në fusha të ndryshme relevante për standardet përmes raporteve të vendeve në zgjerim. Një raport i njëjtë i është ofruar shteteve anëtare më 19 tetor të vitit 2021, e cila tregon se Kosova ende i përmbush standardet për liberalizimin e vizave.

“Për të mbështetur vendimmarrjen e shteteve anëtare, ne do të prezantojmë këtë vit raportin tonë të zgjerimit 2022 të shoqëruar me një përditësim teknik për çështjen e liberalizimit të vizave. Aktualisht jemi duke punuar në përgatitjen e këtij përditësimi teknik në konsultim me Presidencën e Këshillit dhe shtetet anëtare. Ky përditësim do të jetë vetëm një dokument teknik, duke paraqitur një gjendje të përditësuar të lojës në ato fusha që lidhen me standardet e liberalizimit të vizave, për të mbështetur diskutimet në Këshill”, ka thënë ky zyrtar i Komisionit Evropian.

BE-ja ka bërë të ditur se vlerëson që Kosova ende i përmbush të gjitha standardet e Udhërrëfyesit për Liberalizimin e Vizave.

“Është vlerësimi ynë se Kosova i përmbush të gjitha standardet e Udhërrëfyesit për Liberalizimin e Vizave. Përditësimi teknik nuk do të përbëjë një vlerësim të ri dhe nuk do të shtojë ndonjë kusht apo pikë referimi të ri”, kanë thënë nga Komisioni Evropian.

Asnjë koment

Comments are closed.