Ngritet Kallëzim Penal ndaj Beni Kizollit, drejtorit të Mytaher Haskukës (dok)
Ky kallëzim penal është ngritur me pretendimin se duke qenë drejtor për urbanizëm, ai ka shkaktuar vepër penale.
Kallëzimin penal në Prokurorinë Themelore në Prizren e kanë ngritur vëllezërit Agron e Valbon Kastrati.
Lexo edhe:
Haskuka tallet me kuvendaren e VV-së që denoncon keqpërdorime, i thotë shko në Prokurori!
Ata po pretendojnë se Kizolli qëllimshëm nuk po lejon që objekti i tyre i ndërtuar në qendër të Prizrenit- të futet në procesin e legalizimit, ashtu siç edhe e parasheh ligji i hyrë në fuqi në shtator të vitit 2018.
Sipas tyre, me mos futjen në proces te legalizimit, Beni Kizolli ka bërë vepër penale.
Sipas kallëzimit penal, një kopje të të cilit e ka siguruar Gazeta Blic, thuhet se Kizolli në “cilësinë e personit zyrtar, si drejtor i Drejtorisë për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor në Komunën e Prizrenit, duke qenë i vetëdijshëm për veprimet e tij inkriminuese dhe duke dëshiruar kryerjen e të njëjtit, ka shpërdoruar dhe tejkaluar autorizimet e tij zyrtare si dhe nuk ka nxjerrë aktin juridik, që është dashur ta nxjerrë, në atë mënyrë që me dashje që të dëmtuarve Agron Kastrati dhe Valbon Kastrati t’iu shkaktojë dëm dhe t’ua shkelë të drejtat që ju njihen me ligj, që objekti i tyre ndërtimor i filluar dhe i ndërtuar pa leje para datës 05.09.2018, të trajtohet konform Ligjit nr.06/L024 për trajtimin e ndërtimeve pa leje.
Vëllezërit Kastrati pretendojnë se Drejtoria në fjalë fare nuk e ka shqyrtuar rastin e tyre. Madje duke mos nxjerrë as vendim, në mënyrë që ta apelojnë rastin në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit.
Ata sipas kallëzimit penal të dorëzuar në Prokurorinë Themelore në Prizren, janë të bindur se Ben Kizolli ka kryer veprën penale Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414, paragrafi 1, i Kodit nr. 06/L-074 Penal të Kosovës.
Në këtë kallëzim Penal janë paraqitur edhe provat dhe arsyetimet, pse sipas tyre, Kizolli ka kryer vepër penale.
Ndër të tjera, në këtë kallëzim penal thuhet se kur Agron Kastrati ka shkuar në takim me drejtorin Beni Kizolli, duke i kërkuar që pse s’po i trajtohet lënda e tij, ai e nxori nga sirtari dosjen e tij, duke ia dhënë palës, e cila pretendon se komuna po e dëmton.
Aktualisht, siç merr vesh Gazeta Blic, kjo lëndë më nuk ekziston fare në Komunën e Prizrenit- gjegjësisht në Drejtorinë për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor.
Gazeta Blic ka kontaktuar me vëllezërit Kastrati, të cilët e kanë konfirmuar rastin, por nuk kanë dashur të japin më shumë komente për kallëzimin penal.
Ata kanë deklaruar se të gjitha i kanë thënë në kallëzimin penal që e kanë deponuar në Prokurorinë Themelore në Prizren.
Lexo edhe:
Komuna e Prizrenit del keq edhe në raportin e USAID-it amerikan për performancë (Dokument)
Në anën tjetër, Gazeta Blic, ka kontaktuar me Drejtorin e Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit, Beni Kizolli.
Kazolli thotë se lënda në fjalë ka marrë përgjigjen, ai shton se personat në fjalë janë informuar se objekti i tyre nuk i përmbushë kushtet.
“Lënda në fjalë ka marrë përgjigjën, u është informuar së objekti i tyre nuk i përmbush kushtet për tu trajtuar me ligjin nr 06/L-024 “Ligji për trajtimin e ndërtimeve pa leje”. Çdo lëndë mbetet në arkivin bashkëpunëtorit që i përgjigjet, në këtë rast përgjigjën e parë si Drejtori, unë ua kam kthyer dhe lënda ka qen në zyrën time”, thotë Kizolli për Gazeta Blic.
Kizolli deklaroi se të gjitha veprimet janë bërë bërë në komunikim të vazhdueshëm me zyrtarët e Inspektoratit dhe përfaqësuesit e Ministrisë që janë përgjegjës për legalizim.
Në vazhdim e gjeni të plotë kallëzimin penal të ngritur ndaj Kazollit, më datë 30 shtator 2020.
Brenda ditës i kthehet përgjigje kërkesës së drejtuar nga Agron e Valbon Kastrati për legalizim
Gazeta Blic e ka siguruar komplet dosjën e rastit në fjalë.
Agron e Valbon Kastrati më datë 26 gusht të këtij viti kanë dorëzuar kërkesën për legalizim të objektit pa leje.
Por, “çudia” ka ndodhur, që Brenda asaj dite i është kthyer “përgjigje” për kërkesën e tyre.
Po atë ditë, me datë 26.08.2020, Drejtoria për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor në Prizren i ka khtyer përgjigje, përmes një “Informimi”, e jo përmes ndonjë vendimi, përmes së cilit edhe do të mund të ankohej në shkallën e dytë- në Ministrin e Ambientit.
Si përfundim, mbindërtimi që e kalon etazhën B+P+1 është ndërtuar pas datës 05.09.2018, përkatësisht pas hyrjes në fuqi të ligjit 06/L024 për trajtimin e ndërtimeve pa leje, që nënkupton se kjo lëndë nuk mund të trajtohet me Ligjin Nr. 06/L- 024, për trajtimin e ndërtimeve pa leje”, thuhet ndër të tjera në “Informimin” e lëshuar nga Beni Kizolli, drejtor i Drejtorisë për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor.
Tutje Kizolli këtë arsyetim e mbështetur: “Ngase të njëjtat thënie vërtetohen me procesverbale dhe aktvendimet e Drejtorisë për Inspektorate, ndërsa kërkesën e Agron dhe Valbon kastrati, me të cilën ka kërkuar marrjen e lejes për mbi ndërtimin e katit të dytë të objektit DUPH-ja, me aktvendim nr. 04-353/01-77185, me datë 16.07.2019, e ka refuzuar”.
Pas “Informimit”, nga ana e DUPH-ja, përmes kompanisë ligjore “Hodaj & Partners”, i është drejtuar kësaj drejtorie edhe me një kërkesë për “Rishqyrtim të aplikimit për legalizim të datës 26.08.2020 dhe anulim të shkresës/informim me numër 04-353/-80787”.
Në këtë shkresë që mbrojtja e vëllezërve Kastrati ia ka dërguar Drejtorisë Komunale për Urbanizëm, e ka paralajmëruar atë për mundësinë e kryerjes së veprës penale.
Në shkresën e dërguar nga “Hodaj & Partners”, thuhet se “Informimi” i lëshuar nga ana e drejtorit Kizolli, është në kundërshtim të plotë me ligjin për trajtimin e ndërtimeve pa leje.
Në shkresën e dërguar nga “Hodaj & Partners”, ndër të tjera thuhet se objekti duhet të trajtohet bazuar në nenin 2 të ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje.
“Objekti për të cilin është paraqitur kërkesa për legalizim ka filluar të ndërtohet në janar të vitit 2018, është ndërtuar substancialisht deri më 05.09.2018 dhe aplikimi për legalizim është bërë me datë 26.08.2020”, thuhet ndër të tjera në këtë shkresë.
Mbrojtja e Agron e Valbon Kastratit në kërkesën e dorëzuar më 1 shtator 2020, konsideron se njoftimi i Drejtorisë për Urbanizëm dhe planifikim hapësinor i lëshuar më datë 20.08.2020 është i kundërligjshëm.
Drejtoria e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor më datë 9 shtator 2020, përmes një shkrese- “Informim”, e jo vendim, ka refuzuar që ta shqyrtoj këtë rast sipas ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje.
Sipas kësaj shkrese, ku palës nuk i jepet as e drejta e ankesës në shkallë të dytë- tek Ministria e Ambientit, thuhet se “Nga të gjitha të cekurat si në këtë informim, DUPH-ja, si përfundim, kërkesën e juaj për legalizimin e mbindërtimit nuk mund ta trajtojë me Ligjin për Trajtimin e Ndërtimeve pa leje nr.06/L-024, ngase B+P+1 është e pajisur me lejen e ndërtimit- sipas planit të rehabilitimit dhe të gjitha punimet e mbindërtimit të katit të 2 dhe nënkulmit janë realizuar pas hyrjes në fuqi të ligjit, të cilat vërtetohen nga vendimet refuzuese të DUPH-së dhe procesverbalet e Drejtorisë për Inspektorate”.
Pas kësaj informate të lëshuar nga ana e DUPH, kompania që mbron interesat e Agron e Valbon Kastrati, i është drejtuar me një kërkesë Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit, ku ka njoftuar me vendimin përfundimtar që ka ndërmarrë Komuna e Prizenit.