24-11-2024

Nis publikimi i formularëve, këtu mund t’i gjeni votat që mori secili kandidat

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar publikimin e formularëve të rezultateve të partive politike të zgjedhjeve të 17 tetorit

Sipas procedurave, këta formularë skanohen në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve dhe pastaj ngarkohen në ueb faqe të KQZ-së.

Në njoftimin e KQZ-së bëhet e ditur se publikimi i këtyre formularëve nuk është shpallje e rezultateve përfundimtare.

“Ky publikim është në proces dhe deri më tani janë publikuar formularët e rezultateve nga disa komuna, derisa do të vazhdohet me publikimin sapo të njëjtit të jenë të gatshëm. Publikimi i këtyre formularëve nuk është shpallje e rezultateve përfundimtare, por kjo bëhet me qëllim të rritjes së transparencës dhe që të gjithë kandidatët të mund të shohin formularët e plotësuar në vendvotime”, thuhet në njoftim.

Fromularët mund t’i gjeni KËTU

Sipas rezultateve preliminare të shpallura nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në 17 komuna janë shënuar fitore të partive dhe 21 komuna do të shkojnë në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Kosovë.

Bazuar në rezultatet preliminare të KQZ-së, Lista Serbe ka fituar nëntë komuna, Partia Demokratike e Kosovës ka fituar pesë komuna, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nga dy komuna, kurse Lëvizja Vetëvendosje nuk ka arritur fitore të qartë në asnjë komunë në raund të parë.

Partia Demokratike e Kosovës ka fituar në Mitrovicë të Jugut, Ferizaj, Hani i Elezit dhe Skenderaj.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka fituar në Lipjan dhe Pejë.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka fituar në Deçan dhe Suharekë.

Ndërkaq, Lista Serbe ka fituar në Leposaviq, Mitrovicë të Veriut, Novobërdë, Shtërpcë, Zubin Potok, Zveçan, Graçanicë, Ranillug dhe Partesh.

Në balotazh do të shkojnë këto komuna: Gjakova (AAK-LVV), Gjilani (LVV-LDK), Dragashi (PDK-LDK), Klina (AAK-PDK), Kamenica (Partia Socialdemokrate -LVV), Podujeva (LVV-LDK), Prishtina (LVV-LDK), Prizreni (LVV-PDK), Vitia (LDK-LVV), Vushtrria (PDK-LDK), Malisheva (Nisma-PDK), Juniku (AAK-LDK) dhe Mamusha (Partia Demokratike Turqve të Kosovës –KDTP dhe partia e Drejtësisë e Turqve të Kosovës – KATP), Gllogoci (PDK dhe Demokratët për Drenasin – DD), Kllokoti (Lista Serbe- Iniciativa qytetare Harmonia Popullore Serbe – GI SNS), Istog (LDK-AAK), Shtimja (PDK-LVV) dhe Rahoveci (AAK-LVV), Obiliqi (Iniciativa Qytetare për Obiliqin – IQO dhe LVV, Fushë Kosova (LDK-LVV), si dhe Kaçaniku (PDK-LVV).

Sipas Ligjit për Zgjedhjet Lokale, raundi i dytë i zgjedhjeve ndërmjet dy kandidatëve, të cilët kanë fituar më së shumti vota të vlefshme, mbahet ditën e diel, katër javë pas raundit të parë. Në këtë rast i bie që do të mbahen më 14 nëntor

Asnjë koment

Comments are closed.