11-11-2024

Një vit pa Agim Malokun, legjendën e klubit të Lirisë

Me 26 qershor bëhet një vit nga vdekja e futbollistit të spikatur të klubit Liria, Agim Malokut. Për shumë vite, ai ishte ndër më të dalluarit, duke qenë pjesë e brezave më të suksesshëm të ekipit prizrenas, shkruan “gazetaeprizrenit.net”.

Ishte njëri ndër punëtorët më të dalluar sportiv, që vite me radhë i kontribuoi futbollit në Kosovë.  Disa vite ishte anëtar i Komitetit Ekzekutiv të Federatës së Futbollit të Kosovës , kryetar i komisionit për inspektimin e stadiumeve, pastaj ka qenë pjesë e delegacionit të Kosovës, i cili në Hungari siguroi anëtarësimin e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) në UEFA.

Po ashtu ka qenë edhe kryetari i rajonit të Prizrenit, pranë Federatës së Futbollit të  Kosovës.

Agimi si i ri filloi të merret me futboll. Duke e parë talentin e tij e ftuan të inkuadrohet në klubin  Liria.  Për herë të parë fanellën e këtij klubi e vesh me 1969/70,  të cilën me dashuri dhe krenari do ta bartë deri në përfundim të karrierës,  në vitin 1984/85.

Përkundër ofertave nga klubet tjera, ai asnjëherë nuk u nda nga “Liria”. Ishte lojtari më besnik i këtij klubi. Gjatë lojës në fushën e gjelbër ka qenë lojtari i pakompromis dhe luftarak.

Në një intervistë në shtypin e kohës, Agimi thotë se Prizreni ka ekip shumë të mirë, dhe se për këtë trajnerët kishin vështirësi ta caktonin 11-shin.

Sa i përket tifozëve të Lirisë, ai i përshkruan ata si “të mrekullueshëm, të pakrahasueshëm me tifozët e klubeve të tjera”.

Meritat dhe kontributi i tij janë vlerësuar nga drejtues të lartë të sportit.

Fadil Vokrri,  ( vdiq dy javë më parë) kryetar i FFK-së, me rastin e vdekjes se Agim Malokut deklaroi se “ai i ka dhënë shumë futbollit të Kosovës, prandaj kontributi i tij ishte tejet i çmueshëm”.

Ishte shtyllë e fortë e pavarësimit të futbollit të  Kosovës. Agimi ishte i palodhshëm dhe i papërkulur ndaj sfidave./gazetaeprizrenit.net/

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.